Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka reaguar ndaj deklaratës së ambasadorit amerikan në Serbi, Christopher Hill, që ka shprehur mendimin se nuk duhet kërkuar nga Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës zyrtarisht për t’i lejuar që të anëtarësohet në Bashkimin Evropian.
Rohde në platformën X ka theksuar se normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë përfshin njohjen reciproke.
Ai ka cituar deklaratën e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, nga një vizitë e tij në rajon në qershor të vitit 2022, ku Scholz kishte theksuar se normalizimi dhe njohja reciproke janë thelbësore për përparimin drejt integrimit evropian.
Rohde ka shtuar se për të dy vendet është e rëndësishme zbatimi i plotë i marrëveshjeve të arritura në negociatat e Brukselit dhe të Ohrit, dhe se kjo është rruga që duhet ndjekur për të arritur një normalizim të qëndrueshëm.
“Vetëm sa për të rikujtuar: Lexojeni deklaratën e qartë të kancelarit gjerman Scholz gjatë vizitës në Kosovë dhe Serbi në qershor të vitit 2022 për normalizimin, përfshirë njohjen reciproke. Kjo qëndron ende: Rruga është aty. Zbatim i plotë i marrëveshjes së Brukselit dhe asaj të Ohrit nga të dyja palët sa më parë”, ka deklaruar ai.
Hill: Serbisë s’do t’i kërkohet njohja de jure e Kosovës për të hyrë në BE
Nga ana tjetër, ambasadori amerikan Hill ka shprehur qëndrimin se Serbisë nuk do t’i kërkohet që de jure ta njohë pavarësinë e Kosovës për t’u bërë anëtare e Bashkimit Evropian, por se evropianët “po kërkojnë pikërisht atë që thonë se po kërkojnë – normalizim të marrëdhënieve”.
Just as a reminder: Read @Bundeskanzler Scholz’ clear statement during his visits to 🇽🇰+🇷🇸 in June ’22 on normalization, incl mutual recognition!
That still stands.
The path is there: full implementation of the Brussels/Ohrid agreements by both sides asaphttps://t.co/whuG4Sm6oV— Ambassador Jörn Rohde (@GermanAmbKOS) June 13, 2024