Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk i ka komentuar deklaratat e zyrtarëve të Bashkimit Evropian, të cilët i kanë quajtur spekulime lajmet se do të hiqen masat e vendosura për Kosovën.
Kreu i ekzekutivit, i pyetur nga gazetarët nëse beson se BE-ja do t’ia heqë Kosovës masat, ai ka thënë se nuk dëshiron të spekulojë për spekulimet.
“Nuk mendoj se duhet të spekuloj për spekulimet”, është shprehur Kurti para gazetarëve.
Të hënën, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, i ka konsideruar si spekulime deklaratat e zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, duke theksuar se vendet anëtare të BE-së do të jenë të parat që do të shohin dhe diskutojnë raportin nga Josep Borrell, para se të merren vendimet e nevojshme.
Ai ka shtuar se nuk është e nevojshme që dikush nga jashtë të spekulojë për përmbajtjen dhe oraret e raportit.
Sipas tij, raporti nga Borrell do të dërgohet fillimisht te vendet anëtare, të cilat do ta shohin dhe diskutojnë përmbajtjen e tij, para se të marrin vendimet e nevojshme.
“Kjo është diçka institucionale në mes të përfaqësuesit të lartë dhe vendeve anëtare. Kështu që nuk na duhet dikush nga jashtë që të spekulojë për përmbajtjen dhe oraret. Do të bëhet në kohën e përshtatshëm për përfaqësuesin e lartë dhe vendet anëtare, që do të jenë të parat që do ta shohin dhe diskutojnë përmbajtjen, para se të marrin vendimet e nevojshme. Dhe kur kjo do të ndodhë, atëherë do t’i kumtojmë rezultatet. Nuk ka hapësirë dhe arsye për spekulime publike nga akterë të ndryshëm”, ka deklaruar Stano.
Borrellit i ishte kërkuar një raport i tillë nga vendet anëtare, në mënyrë që të vlerësohet nëse janë pjekur kushtet që Kosovës t’i hiqen masat ndëshkuese.
Më 13 qershor, duke raportuar para Komisionit për Integrime Evropiane në Prishtinë, Bislimi kishte deklaruar se raporti i Borrellit ka qenë “i gatshëm prej prillit, por ka pasur disa hezitime” për dorëzimin e tij.