Komandanti i KFOR-it, Ozkan Ulutash, ka takuar emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Siç thuhet në njoftim, Ulutash e Lajçak, në këtë takim e kanë rikonfirmuar se çdo vendim në lidhje me Urën e Ibrit duhet të merret në kudër të dialogut.
“Ata përsëritën përkushtimin e tyre për të vazhduar bashkëpunimin në dobi të sigurisë në mbarë Kosovën dhe të stabilitetit rajonal. Ata gjithashtu rikonfirmuan se çdo vendim në lidhje me urën e Mitrovicës duhet të merret në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, të cilin NATO vazhdon ta mbështesë, duke përfshirë përpjekjet e KFOR-it. Ky është çelësi për sigurinë e të gjitha komuniteteve. KFOR-i mban një prani fikse në urën e Mitrovicës dhe kryen patrullime të rregullta në zonat përreth”, thuhet në njoftim.
Për çështjen e hapjes së urës së Ibrit, Lajçak ka folur edhe një deklarim për media, ku ka thënë se kjo urë duhet të hapet, por në mënyrë që të mos përshkallëzohet situata në terren.
“Hapja e urës ka të bëjë më marrëveshjen e vitit 2015 dhe 2016, qëndrimi ka qenë që të hapet, por kjo duhet të bëhet në mënyrë që të mos përshkallëzohet situata në terren. Kjo të bëhet në frymë të një atmosferë të mirë dhe në kuadër të dialogut”, ka shtuar Lajçak