Borrell rekomandon heqjen e masave të BE-së ndaj Kosovës

Borrell në raportin e tij i ka përshkruar hapat që ka ndërmarrë Kosova, duke i krahasuar me kërkesat specifike të BE-së nga qershori i vitit 2023, dhe në fund ka rekomanduar që Këshilli të marrë qëndrimin për heqjen e masave

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, u ka rekomanduar shteteve anëtare që të marrin qëndrim për heqjen e masave ndaj Kosovës, mëson Radio Evropa e Lirë nga burimet diplomatike në bllok, që kanë pasur qasje në raportin e shefit të diplomacisë së BE-së.

Burimet cituan rekomandimin e bërë nga Borrelli në raportin e tij ku thuhet:

“Duke marrë parasysh hapat që ka ndërmarrë Kosova drejt përmbushjes së kërkesave të BE-së të shprehura në deklaratën e 3 qershorit të vitit 2023, përfaqësuesi i lartë i rekomandon Këshillit që të marrë qëndrimin e heqjes së masave ndaj Kosovës, në të njëjtën kohë duke respektuar prerogativat institucionalë”.

Në rekomandimin e tij, Borrell ka shkruar se “vendimi nga ana e Këshillit do të ishte sinjal politik dhe do të kontribuonte në kontekstin e balancuar në të cilin dialogu Prishtinë-Beograd, që lehtësohet nga BE-ja, mund të ecë përpara”.

Nga Kosova pritet që ta shfrytëzojë këtë mundësi për të vepruar në mënyrë të uljes së tensioneve dhe t’i evitojë veprimet e pakoordinuara, thuhet në raportin e Borrellit, sipas burimeve diplomatike në BE.

Në këtë raport, Borrell ka përmendur në mënyrë specifike kërkesat që i ishin bërë Kosovës vitin e kaluar, të cilat lidhen me veprimet e njësive speciale të Policisë së Kosovës në pjesën veriore të shtetit – të banuar me shumicë serbe – si dhe me ushtrimin e funksioneve nga ana e kryetarëve shqiptarë të katër komunave në veri.

Në raport, Borrell ka shkruar se BE-ja do të vazhdojë të ndjekë nga afër zhvillimet në veri të Kosovës, si dhe veprimet e Kosovës dhe Serbisë, të cilat, sipas tij, nuk duhet të krijojnë tensione të reja.

Për raportin e Borrellit pritet të diskutohet sot të Komitetit politik dhe të sigurisë së BE-së (PSC).

Në bazë të diskutimeve do të shihet pastaj se a do të vendoset për heqjen e masave të vendosura ndaj Kosovës.

Sipas burimeve diplomatike në Bruksel, heqja e masave ndaj Kosovës mund të jetë në rend dite edhe në takimin e Këshillit për punë të jashtme, që zhvillohet në nivel ministrash më 24 qershor.

Borrell ua dorëzoi raportin e tij shteteve anëtare më 18 qershor. Zyrtarë të BE-së kishin diskutuar për herë të parë rreth mundësisë së heqjes së masave në prill të këtij viti, andaj edhe kanë kërkuar një raport prej Borrellit./REL

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika