Në Ditën e Çlirimit të Podujevës, ish-eurodeputetja gjermane, Doris Pack, është shpallur “Qytetare Nderi” e Komunës së Podujevës.
Krerët komunalë dhe ajo kanë vendosur lule te shtatoret e heronjve llapjanë, në krye me Adem Demaçin.
Përndryshe, ish-deputetja e Parlamentit Evropian, Doris Pack, ka tre ditë që po qëndron në Komunën e Podujevës. Ajo u prit nga kryetari Shpejtim Bulliqi dhe nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci.
Pas takimit, Bulliqi deklaroi se në prag të 25-vjetorit të çlirimit të Podujevës, Doris Pack po nderon këtë komunë dhe Kosovën me praninë e saj.
“Një punëtore e vyer, një eurodeputete që ka bërë shumë për Kosovën dhe shqiptarët, dhe kënaqësia më e madhe është se tashmë Komuna e Podujevës ka marrë vendim që ta shpallë qytetare nderi të komunës sonë dhe besoj se nga 19 qershori, Doris Pack, do të jetë banore më e re të komunës sonë”, tha Shpejtim Bulliqi, kryetar i komunës së Podujevës
Ndërsa, ish-eurodeputetja Doris Pack u shpreh se është e lumtur që po viziton Komunën e Podujevës.
“Kam kënaqësinë që jam në Podujevë, sepse me Podujevën kam lidhje të veçantë për shkak se këtu e kam kuptuar se çfarë do të thotë të jetosh nën regjimin e aparteidit. Po ashtu, kam kënaqësinë që u ktheva këtu dhe dua të them se presidenti i ndjerë, Ibrahim Rugova, ka qenë lider i cili ishte i njohur për paqen e tij, por Kosovës, i është dashur të shpërthejë me protesta për ta ndërkombëtarizuar çështjen e saj, dhe kjo u bë falë studentëve, dhe gjithçka kishte filluar në Podujevë”, tha ajo.