Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, në një intervistë me DW, ka folur për sukseset e kombëtares, marrëdhëniet me Kosovën dhe Greqinë, shqiptarët në Luginën e Preshevës dhe diasporën.
Begaj ka thënë se Kosova është interesi më i madh i Shqipërisë, e Shqipërinë e ka cilësuar si avokaten më të mirë të Kosovës.
“Kosova është interesi më madhor i Shqipërisë, Shqipëria është avokatja më e mirë e Kosovës në arenën ndërkombëtare, dhe në çdo organizatë ndërkombëtare dhe çdo iniciativë rajonale përmendet dhe mbrohet Kosova,” ka thënë Begaj.
Teksa ka shtuar që bashkëpunimi dhe mbështetja për Kosovën do të jenë gjithmonë nga ana e Shqipërisë.
“Patjetër që ne do të kemi këtë bashkëpunim dhe në të ardhmen nuk mendoj që ka vend për pakënaqësi. Ne jemi aty, do të jemi gjithmonë në mbështetje të Kosovës. Para dy ditësh isha në Kosovë, mora pjesë në festimet e 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës, kjo tregon që marrëdhëniet tona janë të shkëlqyera.”
INTERVISTA E BEGAJT PËR DW:
DW: Zoti President, kryefjala këto ditë në Gjermani është futbolli. Si e vlerësoni lojën e deritanishme të kombëtares shqiptare?
Bajram Begaj: Përshëndetje, kënaqësi të jem në këtë intervistë me ju, padyshim që kryefjala botërore tani është futbolli. Dhe për mua si President i Republikës së Shqipërisë është ekipi kombëtar i Shqipërisë. Jam shumë i kënaqur me ekipin kombëtar, ju uroj shumë suksese dhe besoj se dhe Kampionati Evropian i Futbollit është fitore për tifozët shqiptarë, për tifozët kuqezi.
Çfarë roli mund të luajë kjo pjesëmarrje e Shqipërisë për përmirësimin e imazhit të Shqipërisë në Evropë?
Unë mendoj që imazhi i Shqipërisë në Evropë është i përmirësuar goxha vitet e fundit. Shqipëria është prezente në faqet e para të mediave botërore, për faktin që turizmi në Shqipëri vitin e shkuar ishte një shifër rreth 10 milionë turistë, këtë vit mendohet dhe parashikohet që të jenë rreth 15 milionë turistë. Kjo tregon që Shqipëria ka një rol të rëndësishëm, sidomos zhvillimi i Shqipërisë, siguria dhe ajo çfarë bën në arenën ndërkombëtare është shumë e mirëpritur dhe e respektuar.
Ju do të takoheni edhe me Presidentin e Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier. Cilat janë pritshmëritë tuaja për rolin e Gjermanisë ndaj Shqipërisë dhe rajonit?
Patjetër është kënaqësi të mirëpritem nga Presidenti i Gjermanisë. Është kënaqësi që do të vazhdojë bisedën miqësore të zhvilluar dy vite më parë në Shqipëri, në lidhje me bashkëpunimin bilateral midis Shqipërisë dhe Republikës Federale të Gjermanisë, në lidhje me procesin e integrimit në BE, po ashtu edhe për ngjarjet e rajonit.
Ne patëm zgjedhjet për Parlamentin Evropian dhe kemi vënë re një shtyrje nga e djathta. A keni frikë se kjo do ta ngadalësojë pak procesin e zgjerimit?
Unë nuk kam asnjë frikë. Pritshmëritë tona janë që procesi i zgjerimit të Ballkanit Perëndimor drejt anëtarësimit në BE do të jetë një proces strategjik për Evropën dhe jetik për Ballkanin Perëndimor. Besoj shumë që ky proces të përshpejtohet. Ballkani Perëndimor ka nevojë për Evropën dhe besoj se Shqipëria është në avangardë të këtij procesi për faktin që është kampione e bashkëpunimit rajonal, ndikon shumë për miqësitë midis vendeve të Ballkanit Perëndimor, po ashtu edhe për paqen, sigurinë, stabilitetin, zhvillimin e qëndrueshëm dhe aspiratën dhe ëndrrën për t’u integruar në Bashkimin Evropian.
Ju e thatë vetë, ju jeni promotor i bashkëpunimit rajonal. Nga ana e Kosovës ka shpeshherë pakënaqësi. Ministrja e Jashtme thotë se politika e Shqipërisë ndaj Serbisë do të duhet të kalojë nëpërmjet Kosovës. Ju çfarë mendimi keni për këtë?
Kosova është interesi më madhor i Shqipërisë, Shqipëria është avokatja më e mirë e Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe në çdo organizatë ndërkombëtare dhe çdo iniciativë rajonale përmendet dhe mbrohet Kosova. Patjetër që ne do të kemi këtë bashkëpunim dhe në të ardhmen nuk mendoj që ka vend për pakënaqësi. Ne jemi aty, do të jemi gjithmonë në mbështetje të Kosovës. Para dy ditësh isha në Kosovë, mora pjesë në festimet e 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës, kjo tregon që marrëdhëniet tona janë të shkëlqyera.
Marrëdhënie shumë të mira kemi, thotë Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, edhe me Greqinë, por Greqia e ka bllokuar procesin e integrimit për shkak të çështjes Beleri. Si mund t’i tejkalojë Shqipëria këto sfida?
Shqipëria i ka bërë më së miri detyrat e shtëpisë. Shqipëria ka kaluar me sukses procesin e screening, ka hapur konferencën e parë ndërministrore dhe pret për hapjen e kapitullit të parë që ka të bëjë me kapitullin themelor të legjislacionit. Nuk besoj se çështjet bilaterale do të ndikojnë në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Ju jeni president i të gjithë shqiptarëve, edhe atyre që janë jashtë atdheut. Si i adresoni ju problemet e shqiptarëve në Serbi kur flisni me kolegët tuaj?
Patjetër që e kam përgjegjësi kushtetuese të mbroj shqiptarët kudo ku ata punojnë e jetojnë dhe një prej tyre është komuniteti shqiptar që jeton në Luginën e Preshevës. Unë në fjalën time në asamblenë e përgjithshme të Kombeve të Bashkuara kam ngritur shqetësimin në lidhje me shpopullimin e rajonit të Luginës së Preshevës, me pasivizimin e adresave, dhe besoj se është në nderin tonë që të vazhdojmë të mbrojmë interesat e shqiptarëve në këtë Luginë.
Ju u takuat me diasporën shqiptare. Një problem kryesor për diasporën është edhe mungesa e mundësisë për të votuar në vendet ku jetojnë. Si po angazhoheni ju për ta realizuar këtë?
Unë kam bërë disa takime me diasporën shqiptare dhe sot bëra një takim për diasporën që jeton në Berlin. Patjetër që për mua diaspora është frymëzim, është me idetë e saj e nevojshme për të kontribuar në atdhe, dhe besoj se bota e diasporës do të adresohet dhe përfaqësimi politik i tyre do të jetë i mirëpritur.
Një problem mbetet çështja e brendshme, panorama ndërpartiake në Shqipëri, marrëdhëniet pozitë-opozitë, të cilat akoma nuk kanë arritur të gjejnë një gjuhë të përbashkët për të bashkëpunuar në mënyrë konstruktive për vendin. Çfarë mund të bëni ju për të pajtuar më shumë?
Në zbatim dhe në respekt të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë unë jam President i Shqipërisë dhe qëndroj mbi palët, nuk merrem me politikën e ditës. Kjo nuk do të thotë që unë nuk e ndjek, që nuk jam i vëmendshëm karshi politikës së ditës, por gjithsesi, në çdo mesazh timin, të cilin ma lejon kushtetuta t’ia adresoj Kuvendit apo ta adresoj në takime të rëndësishme me ambasadorët e huaj apo në ngjarje të rëndësishme në vend, kam adresuar nevojën për të pasur një komunikim dhe dialog të qëndrueshëm midis opozitës dhe pozitës, sepse mendoj që vendi i duhur për të ballafaquar idetë është parlamenti. Është parlamenti ai që duhet të bëjë ligjet dhe të adresojë zgjidhjet në interes të qytetarëve, në interes publik, në interes kombëtar, në interes të të gjithëve.
Në vjeshtë zhvillohet për herë të dhjetë procesi i Berlinit. Cilat janë pritshmëritë tuaja nga ky takim?
Patjetër që unë e shikoj procesin e Berlinit si një proces që duhet të përshpejtojë procesin e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në BE. Vitin e shkuar patëm fatin ta organizojmë procesin e Berlinit me mjaft sukses dhe të gjitha ato elementë që lidhen me adresimin e çështjeve për tu zgjidhur, gjatë këtij samiti do të adresohen për zgjidhje dhe do të gjejmë vendin e merituar.
Çfarë parashikoni për ndeshjen Kroaci-Shqipëri?
Nuk jam i mirë për parashikime, por shpresoj shumë që ekipi kombëtar shqiptar të fitojë dhe dua që të fitojë.