Brenda hapësirave të Selisë Qendrore në LDK sot janë shpalosur pllaka dhe portreti përkujtimor i Nekibe Kelmendit, në 13-vjetorin e vdekjes së saj.
Në këtë ceremoni ka qenë e pranishme edhe vajza e saj, Kosovarja.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku në një postim në Facebook, shkruan se zbulimi i pllakës përkujtimore është bërë në përvjetorin e trembëdhjetë të ikjes në amshim të Nekibe Kelmendit.
Ai ka thënë se në përvjetorin e trembëdhjetë të ikjes në amshim – së bashku me Kosovaren e me bashkëpunëtorë, shpalosën pllakën dhe portretin përkujtimor të Nekibe Kelmendit brenda hapësirave të Selisë Qendrore në LDK.
“Portreti i saj, i vendosur tashmë përballë Enver Malokut, e në varg me të tjerë që do të pasojnë, do të shërbejnë si rikujtim i fuqishëm për secilin që kapërcen nëpër korridorin hyrës të kësaj shtëpie të demokracisë. Se vepra e madhe e lëvizjes kombëtare për liri, pavarësi e demokraci, është bartur nga njerëz të mëdhenj me ëndrra e përkushtime të mëdha”, ka thënë Abdixhiku.
Ai gjithashtu tha se Nekibe Kelmendi, atdhetare dhe veprimtare e madhe e kauzës nacionale, ishte një emblemë identifikuese e një gruaje, e një nëne të pamposhtur, që përkundër sfidave e dhimbjeve të rënda, nuk u gjunjëzua asnjëherë.
“Ajo ka gravuar emrin e saj të merituar jo vetëm si një nga aktivistet e para të LDK-së, por edhe si profil i një njeriu që shkriu veten në formimin dhe konsolidimin e shtetësisë e Kosovës. Gjurmët, sakrifica dhe puna e Nekibe Kelmendit tashmë janë një udhërrëfyes për të gjithë ne që të ecim përpara”, ka thënë Abdixhiku.