Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Rrezarta Krasniqi, ka shfaqur skepticizëm të theksuar në lidhje me mundësinë e heqjes së masave ndaj Kosovës nga Bashkimi Evropian.
Ajo gjithashtu shprehu shqetësimin se Qeveria e Kosovës vazhdimisht merr vendime të njëpasnjëshme pa koordinim me aleatët. Kjo, sipas saj, mund të krijojë pengesa në procesin e heqjes së masave ndëshkuese nga BE-ja.
“Unë shpresoj të ndodhë ajo që thotë zëvendëskryeministri Bislimi, por jam skeptike që të hiqen masat, sepse nuk janë dakorduar me aleatët ndërkombëtarë. Masat nuk do të hiqen lehtë, pasi ato duhet të miratohen nga të gjithë 27 shtetet anëtare të Bashkimit Evropian. Kosova ka plotësuar kushtet e nevojshme, por vendimet e marruara nga kjo qeveri pa konsultim me aleatët ndërkombëtarë unë jam skeptike që do të ndodhë ajo”, ka deklaruar Krasniqi në një intervistë për emisionin “FIVE”.
Krasniqi insistoi që është e rëndësishme që Kosova të koordinojë veprimet e saj me partnerët ndërkombëtarë, për të siguruar një qasje të përbashkët dhe efektive në marrëdhëniet me BE-në.
Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, u ka rekomanduar shteteve anëtare që të marrin qëndrim për heqjen e masave ndaj Kosovës, kështu ka raportuar me burime diplomatike në bllok Radio Evropa e Lirë.
Burimet cituan rekomandimin e bërë nga Borrelli në raportin e tij, ku thuhet se:
“Duke marrë parasysh hapat që ka ndërmarrë Kosova drejt përmbushjes së kërkesave të BE-së të shprehura në deklaratën e 3 qershorit të vitit 2023, përfaqësuesi i lartë i rekomandon Këshillit që të marrë qëndrimin e heqjes së masave ndaj Kosovës, në të njëjtën kohë duke respektuar prerogativat institucionalë”.
Në rekomandimin e tij, Borrell ka shkruar se “vendimi nga ana e Këshillit do të ishte sinjal politik dhe do të kontribuonte në kontekstin e balancuar në të cilin dialogu Prishtinë-Beograd, që lehtësohet nga BE-ja, mund të ecë përpara.