Policia e Kosovës ka njoftuar se një person i dyshuar, i cili teksa po shpërndante kokainë nuk i është ndalur Policisë, ndërkaq duke ikur ka shkaktuar vetaksident në Prizren.
Rasti ka ndodhur në rrugën “Edit Durham” në Prizren, të mërkurën në ora 16:00.
Sipas njoftimit, përpos të dyshuarit, edhe dy zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime trupore dhe janë dërguar për tretman mjekësor.
“Është raportuar se i dyshuari mashkull kosovar është duke bërë shpërndarjen e substancave narkotike të llojit kokainë. Policia e Kosovës, konkretisht Njësia për hetimin e narkotikëve, kanë arritur të identifikojnë të dyshuarin mashkull kosovar me veturën e tij, por i njëjti në sinjalizimin për ndalje nuk është ndalur dhe gjatë ikjes duke mos iu përshtatur kushteve të rrugës, ka shkaktuar vetaksident dhe i njëjti ka pësuar lëndime të lehta trupore. Zyrtarët policorë gjatë ndjekjes së të dyshuarit në teren të papërshtatshëm, kanë pësuar lëndime trupore dhe të njëjtit janë dërguar për tretman mjekësor”, thuhet në raport.
Sipas raportit policor, i dyshuari pas përpjekjeve policore është arrestuar dhe gjatë kontrollit i është gjetur dhe sekuestruar substancë e dyshuar narkotike e llojit kokainë me peshë rreth 2.24 gramë.
“Në konsultim me prokurorin janë kontrolluar tri lokacione ku në dy lokacione janë gjetur dhe sekuestruar një armë revolver pa fishekë, një qese plastike me substancë të dyshuar narkotike të llojit heroinë me peshë rreth 67.07 gramë”, thuhet në njoftim.
Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.