Minatorët e Trepçës, sërish kanë hyrë në grevë për arsye të ngjashme si herën e fundit – të njëjtëve s’u janë ekzekutuar pagat e plota.
Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com, përfaqësuesi i Sindikatës së Punëtorëve të “Trepçës” Destan Kërleshi, i cili ka thënë se prej gjashtë ditësh minatorët nuk kanë shkuar në punë.
Pagat që kanë qenë të parapara të dalin më datë 10 qershor, janë ekzekutuar më datë 14 qershor, mirëpo siç bën të ditur Kërleshi, vetëm 68%.
“E vërtetë është. Ka ndodhë për shkak të pamundësisë për me gjeneru të hyra prej shitjes së koncentratit edhe kjo është arsyeja. Edhe mua më kanë thënë që kena me punu, kena me ba maksimumin, po nuk e kanë ba. Në vend se me u bo 20,000 tonë xehe, janë ba 6,000 tonë xehe. E unë nuk jam minator, jam kryeshef”- pati thënë ai.
Por, “arsyetimin” e kryeshefit se është dashur të bëhen 20,000 tonë xehe, por janë bërë 6,000 tonë xehe, e ka kundërshtuar drejtori i minierës, Shyqyri Sadiku.
“Për muajin prill janë kanë të planifikume 12,996 tonë jo 20,000 tonë. Janë përpunuar 6,000 e diçka tonë, po ajo xehe ka vazhduar me u përpunu edhe në muajin maj, që janë përpunu edhe gati 2,000 tonë, pra janë 8000 e diçka tonë të përpunuara. Prej tyre janë fitu diku rreth 250 tonë koncentrat të zinkut edhe 200 janë koncentrat të plumbit”- ka thënë drejtori i Minierës.
Ndërsa, më 31 maj 2024, minatorët thonin se kjo gjë nuk mund të realizohet për shkak të mungesës së kushteve elementare që ka kjo ndërmarrje.