Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se dakordimi për energjinë mes Kosovës dhe Serbisë, do të bazohet në marrëveshjen e Brukselit.
Ai ka deklaruar se Kosova është afër finalizimit të dakordimit për nisjen e zbatimit të udhërrëfyesit të energjisë, që synon vendosjen në binarë të problematikës së furnizimit dhe pagesës së energjisë në katër komunat e veriut të vendit.
Me anë të një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Bislmi ka deklaruar se “ky është njё problem qё ёshtё krijuar, mirёmbajtur dhe trashëguar tutje nga tё gjitha qeveritё e deritanishme”.
“Çdo dakordim eventual ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mbi çështjen e energjisë, nuk do ndryshojë as edhe njё presje pёrtej asaj qё tashmë është dakorduar nё Bruksel nё vitet 2013 dhe 2015. Nё emёr tё Kosovёs, negocion vetёm Qeveria e Republikёs sё Kosovёs”, ka shkruar ai.
Sipas tij, takimi mes KEDS-it dhe palёs serbe, i organizuar nё Stamboll me nëntë qershor, ka patur vetёm objektivin e ofrimit tё garancive pёr katёr shёrbimet e dakorduara nё vitin 2015, vendosja e matёsve tё energjisё, mirёmbajtja e matёsve, faturimi dhe inkasimi, dhe kёtё obligim e ka pёrmbushur.
Ai ka thënë se nuk do ketё asnjё operator shtesё pёrveç Elektroseverit dhe asnjё shёrbim shtesё nё fushёn e distribucionit, pёrtej katër shёrbimeve të cekura më lart, tё dakorduara nё vitin 2015 dhe pёrtej katër komunave nё veri tё Republikёs Kosovёs.
“Ditët në vijim janë kritike për finalizimin e dakordimit për nisjen e zbatimit tё udhёrrёfyesit tё energjisё, me ç’rast mund të ketë fushata dezinformimi që qëllim kanë dëmtimin e procesit dhe mirëmbajtjen e problemit. Andaj, i ftoj të gjithë që të jemi edhe më të kujdesshëm në pranimin dhe shpërndarjen e informatave të pakonfirmuara. Për çdo zhvillim zyrtar, do t‘iu mbajmë të informuar”, ka shkruar ai.