Përfaqësuesi i lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, është takuar në Austri me ministrat e Jashtëm të shteteve të Ballkanit Perëndimor.
“Diskutuam se si të ndërtojmë së bashku një Evropë më të bashkuar”, shkroi Borrell në X.
Në këtë takim, që u mbajt më 20 qershor, mori pjesë edhe ministrja për Punë të Jashtme dhe Diasporë e Kosovës, Donika Gërvalla.
Glad to meet with Foreign Ministers from the Western Balkans, the “Friends of the Western Balkans” group, and the “Danube Region Strategy”.
We discussed how to build a more united Europe together.
Thank you @a_schallenberg for gathering us in Austria these days. pic.twitter.com/yy21SYppdr
— Josep Borrell Fontelles (@JosepBorrellF) June 21, 2024
Në Austri edhe sot vazhdojnë takimet mes përfaqësuesve të BE-së me ata të Ballkanit Perëndimor.
Gërvalla shkroi në Facebook se në takim do t’i paraqesë qëndrimet e Kosovës për sigurinë në Evropë dhe rajon, por edhe për reformat e ndërmarra në fushën e sundimit të ligjit.
“Do të avokojmë për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian si dhe nevojës së ndërmarrjes së veprimeve konkrete për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor”, ka shkruar Gërvalla.
Bashkimi Evropian njoftoi më herët gjatë javës se në Austri Borrell, përveç pjesëmarrjes në diskutime të përbashkëta, do të zhvillojë edhe takime dypalëshe me kryediplomatët diplomatikë.
Fokusi i takimeve dyditore i grupit të “ministrave të Jashtëm të Danubit” dhe “Miqve të Ballkanit Perëndimor” është te raportet mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.