Kolonat nuk mungojnë thuajse asnjë ditë.
Shkaktare për këto radhë të gjata të veturave po bëhen rrëshqitjet e shpeshta të dheut e gurëve.
E një e tillë në rrugën Prizren – Prevallë ndodhi edhe gjatë ditës së diele.
Me të marrë vesh shembjen, në vendin e ngjarjes doli edhe policia, të cilët menjëherë njoftuan kompaninë përgjegjëse për mirëmbajtjen e rrugës.
‘’Patrullat e Policisë kanë dalë në lokacion ku kanë konstatuar se nga shembja e dheut, njëri shirit është i pa qarkullueshëm. Në lidhje me këtë është njoftuar kompania përgjegjëse e cila ka dalë në vendin e ngjarjes dhe i ka ndërmarrë veprimet e nevojshme. Fatmirësisht nuk ka pasur pengesa të mëdha në qarkullim dhe nuk ka pasur persona të lënduar’’, ka thënë zëdhënësi i Policisë në Prizren, Vesel Gashi.
Por, rrëshqitjet e shpeshta të dheut po shkaktojnë pasiguri te qytetarët.
‘’Sinqerisht kjo rrugë ka pasur gjithmonë rrezikshmëri të lartë. Unë kam qenë dëshmitar kur kam parë në rrugë një gur që ka qenë mbase më shumë se një metër kub dhe veq tjerash edhe gurë më të vegjël, po sidoqoftë kanë paraqitur rrezikshmëri të lartë për ngasësit e veturave’’, ka thënë Mentor Llugaliu, qytetar.
Për eliminimin e rrezikut nga rënia e gurëve dhe shembjet e dheut, kompania përgjegjëse, “Eskavatori” tashmë ka filluar punimet.
Nga kjo kompani thonë se janë kontraktuar nga Ministria e Infrastrukturës për thyerjen e gurëve dhe zgjerimin e rrugës e po ashtu edhe për vendosjen e rrjetave.
‘’Punimet kryesisht po kryhen në thyerjen e gurëve shkëmborë të cilët rrezikojnë komunikacionin brenda rrugës kryesore, ku pas thyerjes bëhet pastrimi i rrugës. Po ashtu është duke u bërë vendosja e rrjetës sipas standardit për mbrojtje nga rrëshqitja e gurëve. Po punohet edhe për zgjerimin e rrugës aty ku është e paraparë me projekt në disa kthesa të ngushta’’, kanë thënë nga kompania ‘’Eskavatori’’.
RTV Dukagjini kontaktoi edhe Ministrinë e Infrastrukturës në lidhje me rrëshqitjet e dheut, mirëpo këta të fundit nuk kthyen përgjigje.
Shkaku i terrenit jo të përshtatshëm, shpesh janë raportuar raste të rrëshqitjes së dheut e gurëve, por që fatmirësisht asnjë rast i shembjeve nuk ka përfunduar me fatalitet në njerëz.