Ish-inspektori i AKI-së, Shkelzen Sopjani, njëherësh avokat ka thënë se operacioni i policisë kundër fajdexhinjve ku deri më tani janë arrestuar shtatë persona ka qenë i rrezikshmërisë së lartë, meqenëse ka qenë e angazhuar edhe Njësia Speciale Intervenuese FIT.
Në emisionin “FIVE”, Sopjani ka thënë se me anë të angazhimit të kësaj njësie, lë të kuptohet se operacioni ishte me rrezikshmëri të lartë, pasi sipas tij këto njësi nuk angazhohen nëse nuk ka ndonjë rrezik të lartë.
Sopjani ka thënë se vepra penale “Fajdeja” është vepër komplekse dhe se janë të ndara sikurse në sport, “liga e parë, e dytë dhe superliga”.
“Po arrestohen persona të ligës së dytë dhe të parë për shkak të kompleksitetit të kësaj vepre, viktimat hezitojnë të bashkëpunojnë me organet e rendit kur kryesit e veprave janë të superligës”, ka deklaruar Sopjani.
Sot, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se deri më tash janë arrestuar 7 persona të përfshirë në veprat penale “fajde” dhe “detyrim”.
Ata janë arrestuar nga Policia e Kosovës në operacionet që pati dje dhe sot në rajonin e Prishtinës, të Pejës dhe të Gjilanit.
“Deri më tash janë arrestuar 7 persona, të cilët përmes aktiviteteve kriminale kanë përfituar vlera milionëshe nga qytetarët tanë përmes frikësimit dhe detyrimit fizik”, ka shkruar Sveçla në Facebook.
Sveçla ka thënë se toleranca ndaj kriminaliteteve si fajdeja e haraçi dhe çdo fenomeni të dëmshëm për qytetarët dhe shoqërinë ka përfunduar.