“Krejt ajo panik që është përhapë ka dështuar, nuk kanë dalë as rinia, as të vjetrit, kanë dalë gjyshet kanë shkuar m’i këqyrë nipat, u kënaqën”.
Ky deklarim i “njeriut të shifrave”, Besnik Bislimit, zëvendëskryeministrit, po cilësohet si diçka jashtë imagjinatës njerëzore nga deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra.
“Nganjëherë duke qenë deklaratave të tilla, njeriu ndjehet i pafuqishëm të thotë ndonjë fjalë, sepse nuk shkon imagjinata e njeriut që i dyti i Qeverisë me aq sportivitet të deklarojë jo që s’po ikin të rinjtë, por që po dalin vetëm gjyshet, siç tha, po shkojnë të kënaqen më mbesat e nipat e tyre”, ka thënë Deliu në “FIVE” të Dukagjinit.
Ajo shprehu shqetësimin se Bislimi po manipulon opinionin publik dhe injoron realitetin e largimit të njerëzve nga brenda institucioneve publike.
Deliu-Kodra theksoi se kjo çështje duhet të trajtohet me seriozitet, duke pasur parasysh se Bislimi është një figurë që pretendon të flasë bazuar në të dhëna statistikore
“Kjo deklaratë duhet të trajtohet me seriozitet, sepse fundja zoti Bislimi është njeri i shifrave, ai thotë që unë flas mbi bazën e shifrave. Dhe kur shifrat e ASK-së e institucioneve kredibile të cilat çdo ditë i humb punëtorët e tyre, të cilat nuk i akuzoj qytetarët e Kosovës, është normale që lëvizje të ndodhë, sepse ka qenë një proces i gjatë i getos dhe është nevojë që ata të lëvizin. Nëse del nëpër fshatra të Kosovës, e ndjen edhe vetë. Fshatarët kanë mbetur të braktisura, sepse njerëzit janë duke lëvizur…”, ka shtuar deputetja e PDK-së.
Deliu-Kodra ka vënë në dukje se lëvizjet e njerëzve nga Policia, Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe administrata publike janë një tregues i qartë i ikjes nga vendi.
“Zoti Bislimi tha që është rritur shkalla e punësimit, ka shumë konkurse, ndërkohë ka shumë konkurse, sepse njerëz nuk ka. Sot e takova një mik të shoqërisë civile dhe më tha Blertë pagat janë shumë të mira brenda nesh, nuk gjejmë njerëz, po shqetësohem për të ardhmen, sepse nuk do të kemi njerëz që do të punojnë për këto institucione… brenda policisë, brenda FSK-së kanë lëvizur dhe e kanë lëshuar Kosovën, administrata publike e të gjitha profilet…”, ka shtuar Deliu-Kodra.