Planin e morën.
Kështu elitarët e Policisë së Kosovës bënë gati edhe pajisjet e tyre më të sofistikuara.
Të enjten cak ishin fajdexhinjtë në rajonin e Pejës.
Nga pjesëtarët e Njësisë Speciale Intervenuese, që më parë njihej si “FIT”, personat e dyshuar sa hap e mbyll sytë vetën e panë në pranga në një lokal të këtij qyteti.
Aksioni vazhdoi më vonë edhe në Prishtinë.
Kështu, në total mbetën 5 persona të arrestuar sipas policisë, megjithatë në mbajtje janë dërguar katër.
“Janë kryer disa bastisje, dhe janë arrestuar 4 persona të cilët dyshohen për veprën penale “Fajde”, “Detyrimi” dhe “Rrëmbimi” me urdhër të prokurorit janë dërguar në mbajtje për 48 orë”, ka deklaruar Shkodran Nikçi, Zëdhënës i Prokurorisë së Pejës.
Ndaj tyre ende nuk është caktuar masa e paraburgimit.
“Prokurori i shtetit është duke hartuar kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit, dhe pasi të përpilohet do të dërgohet në gjykatën kompetente”, ka vijuar ai.
Por, a pati rezistencë nga ta?
“Pjesëtarëve të FIT-it nuk i reziston askush”, ka theksuar Nikçi.
Fajdexhinjtë nuk gjetën qetësi as në Gjilan.
NJSI-ja arrestoi dy persona, dhe një është në kërkim.
“Personat e arrestuar dyshohet se në këtë rast kanë ushtruar presion dhe kërcënime ndaj viktimës me qellim të marrjes së interesit nga veprimtaria e fajdes dhe si rezultat i veprimeve të kundërligjshme personat e dyshuar i kanë shkaktuar dëme materiale viktimës në vlerën mbi 600.000 euro”, thuhet nga Policia e Kosovës.
Që “FIT” të jetë pjesë e aksioneve të tilla e sheh të nevojshme edhe eksperti i sigurisë, Arben Dashevci, që sipas tij policia edhe dërgoi mesazh.
“Këta persona janë goxha të rrezikshëm, andaj edhe pjesëmarrja e “FIT” ka qenë e domosdoshme, këtu u tregua se rendi dhe ligji mbizotëron në vendin tonë”, ka dekalruar Dashevci.
Lidhur me aksionin ka reaguar edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ku me anë të një postimi në Facebook, tha që toleranca ndaj aktiviteteve kriminale si fajdeja e haraçi, ka përfunduar.