Ministria e Energjisë në Ukrainë dhe operatori kombëtar i rrjetit, Ukrenerho kanë thënë se infrastruktura shtetërore e energjisë është shënjestruar sërish me raketa dhe dronë rusë, në orët e hershme të 22 qershorit.
Si pasojë e sulmeve janë dëmtuar sistemet e energjisë në rajonet Lviv dhe Zaporizhja, ka thënë Ukrenerho përmes një deklarate në Telegram, dhe që dy punëtorë janë shtruar në spital pas sulmeve në rajonin Zaporizhja.
Ministria e Energjisë ka thënë se, për shkak të sulmit, janë shkëputur linjat e energjisë në lindje të Ukrainës, çka ka ndikuar në furnizime më të dobëta me energji në rajon.
Ukrenerho ka thënë se ky sulmi i tetë i shkallës së gjerë që ka shënjestruar sistemin e energjisë në tre muajt e fundit.
Ndërkohë, ushtria e Ukrainës ka thënë se sistemet e saj për mbrojtje ajrore kanë rrëzuar 12 prej 16 raketave dhe të 13 dronët e nisur prej Rusisë përgjatë natës.
Ministria ruse e Mbrojtjes nuk e ka komentuar sulmin.
Në një tjetër sulm, më 21 qershor, është raportuar për pesë persona të vrarë në rajonin e Donjeckut.
Në muajt e fundit, Rusia ka shënjestruar në mënyrë sistematike infrastrukturën kritike të energjisë në Ukrainë, duke shkaktuar dëme të mëdha dhe duke lënë mijëra njerëz pa qasje në rrymë.
Sipas disa vlerësimeve, rreth gjysma e kapacitetit për prodhim të rrymës në Ukrainë, është shkatërruar si pasojë e luftës.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka thënë më 20 qershor se shpreson në zhvillimin e infrastrukturës për energji të ripërtrishme, për të tejkaluar krizën me energji, të shkaktuar prej sulmeve ruse.
Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.
Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.