Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se mbështetja për familjet e cenueshme për pagesat e faturave të energjisë elektrike do të riaktivizohet gjatë stinës së dimrit.
Murati ka njoftuar se familjet përfituese, edhe këtë muaj do të pranojnë subvencionimin direkt në faturë të energjisë elektrike teksa ka bërë të ditur se për gjashtë muaj me radhë kanë mbështetur mbi 61 mijë familje të cenueshme, “pa të ardhura ose me të ardhura të ulëta, duke ua subvencionuar faturat e energjisë elektrike”.
“Familjet përfituese, edhe këtë muaj do të pranojnë subvencionimin direkt në faturë të energjisë elektrike. Faza e pilotimit përmbyllet me ekzekutimin e këstit të 6-të të subvencionimit, për secilën nga familjet e cenueshme”, ka shkruar ai.
Sipas Muratit, mësimet që kanë marrë gjatë këtij pilotimi gjashtëmujor do të përdoren “që të dizajnojmë masën e rregullt të mbështetjes së familjeve të cenueshme, e cila pritet të ri-aktivizohet në stinën e dimrit”.