Policia e Shtetit ka bërë të ditur se Policia Kufitare ka bllokuar 16 mjete lundruese, nga të cilat 12 ishin jet-ski, 2 skafe dhe 2 gomone pasi lundronin brenda perimetrit, duke rrezikuar pushuesit.
Në njoftim thuhet se përgjatë gjithë vijës bregdetare, hapësirave liqenore dhe atyre lumore, Njësia Policore Detare dhe Policia Kufitare vijojnë verifikimet ndaj mjeteve lundruese, me qëllimin e vetëm parandalimin e incidenteve me pasoja për jetën dhe shëndetin e pushuesve.
“Nga Ksamili në Velipojë, Policia Kufitare ka bllokuar 16 mjete lundruese. Mjetet e bllokuara: 12 jet ski, 2 skafë dhe 2 gomone. 7 mjete lundruese janë bllokuar nga Ksamili në Vlorë, 7 mjete lundruese janë bllokuar nga Durrësi në Shëngjin dhe 2 mjete lundruese janë bllokuar në Velipojë. 6 prej mjeteve lundruese të bllokuara, janë konstatuar nga shërbimet e Policisë Kufitare dhe ato të Njësisë Policore Detare, duke lundruar brenda perimetrit të sigurisë, shkelje e cila rrezikonte jetën e pushuesve. Drejtuesit e këtyre mjeteve janë ndëshkuar secili, me masë administrative 100 000 lekë”, thuhet në njoftim.
Më tej, Policia e shtetit njofton se drejtuesit e 10 mjeteve të tjera lundruese, krahas masës së bllokimit të mjeteve, u ndëshkuan secili, me masa administrative 10 000 – 20 000 lekë, për mungesë dokumentacioni.
Policia Kufitare apelon për të gjithë përdoruesit e mjeteve lundruese, që të vijojnë të zbatojnë rregullat për përdorimin e mjeteve lundruese dhe të respektojnë zonat e përcaktuara për lundrim me këto mjete, me qëllim që ata dhe pushuesit e tjerë të jenë të sigurt dhe të qetë.
Gjithashtu, fton qytetarët që për çdo rast të shkeljes së perimetrit të sigurisë dhe të përdorimit të mjeteve lundruese në mënyrë të parregullt, të denoncojnë në numrin pa pagesë 112, duke iu garantuar reagim të shpejtë, në bazë të ligjit./Telegrafi