Domate, speca, tranguj, kunguj e plot lloje të tjera perimesh janë të gjeturat e stinës në këtë serrë, mu në zemër të kryeqytetit.
Ajo gjendet në ambientet e Shtëpinë e Personave të Moshuar dhe pa Përkujdesje Familjare, vend ky që ka shërbyer si shtëpi për shumë të moshuar.
Por për Islam Kuletën, këto ambiente bëhen edhe më të ngrohta kur ato i mundësojnë të zhvillojnë pasionin e të fëmijërisë, atë për kultivimin e perimeve.
E me pasionin ndaj kopshtarisë, me ardhjen këtu, ai vuri re se diçka i mungonte vendit.
“Në fillim kur kam ardh, e kam pa kit ven. Ish kan i papërdorun, i lanë mas dore më së shumti, me therra, bari, shumë i pahjeshum. Po veni mpëlqej dhe ma murr menja që është për me mjell edhe e morra me punu, ka thënë Islam Kuleta – banor i shtëpisë.
Ndonëse në moshë dhe pavarësisht temperaturave të larta, Kuletën e gjen në këtë serrë thuajse çdo herë duke ushtruar pasionin që nuk e ka të rastësishëm.
“Kopshtin e du se n fshat jeni marr me kopsht gjith. Skem pas nevoj me ble n tregje se i kemi pas tonat, domate, spec per turshia krejt vet i kemi bo. E mka met prej vogjlie. Ma i knaqun jam nu merr me kit pune se mu marr me punë të kota”, ka thënë Kuleta.
Serra e cila i morri rreth 2 vjet kohë për tu përfunduar, tani është vend kultivimi i më shumë se 10 lloje perimesh,
E të njëjtën, Kuleta thotë se e ka nisur me mision.
“Kem mi qit në kuzhinë për banorë, edhe ata duan me ngrënë diqçka taze. Janë njerëz të vjetër, të sëmurë, smujnë me shku me ble. Tash unë jau dha prej bashqes, për ata e kam punu”, është shprehur Kuleta.
Punën e ka në shpirt e të njëjtën dhe synon të vazhdojë deri sa të ketë mundësi, për shëndetin e për miqtë e tij.