Gjykata Themelore në Pejë, me kërkesë të Prokurorisë, ka vendosur që katër të pandehurve të dyshuar për fajde, të cilët u arrestuan të enjten e 20 qershorit në një aksion të njësive speciale të Policisë së Kosovës, t’ua caktojë masën e paraburgimit prej 30 ditësh.
Dukagjini ka siguruar dosjen e rastit, ku theksohet se ndaj Valbona Pakashtica, Anes Pakashtica dhe Irfan Pakashtica, që të tre nga Prishtina (Valbona dhe Irfani janë çift bashkëshortor), rëndojnë akuzat për veprat penale “Fajde”, “Detyrim” dhe “Rrëmbim”, ndërsa për të pandehurin e katërt Idriz Hajrizi nga Peja rëndon akuza për veprën penale “Detyrim”.
Të pandehurit janë përgjuar në periudha të ndryshme kohore, ku janë publikuar edhe biseda nga katërshja me të dëmtuarin Y.D., thuhet në dosjen e siguruar nga Dukagjini.
Sipas saj, në bisedat e përgjuara, të pandehurit e pranojnë se e kanë rrëmbyer të dëmtuarin Y.D., sikurse që edhe i kanë thënë të dëmtuarit në fjalë se “borxhi është 120.000 euro, mirëpo duhet paguar 240.000 euro”.
Gjatë marrjes në pyetje, i dëmtuari Y.D. ka treguar se si është rrëmbyer nga një person me i njohur si Ragip Daja, i cili ende nuk është identifikuar.
Në dosje tutje theksohet se i dëmtuari Y.D. ka tentuar të bëjë vetëvrasje nga presioni.
“Proceverbali i marrjes në pyetje për dëshmitarin H.D. datë 13.12.2023 i cili ndër të tjera deklaron se si Y. kishte tentuar të bëjë vetëvrasje dhe se si e pandehura Valbona i kishte shkuar në shtëpi”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.
Nga shuma prej 240.000 euro që katër të pandehurit synonin t’ia merrnin të dëmtuarit Y.D. dhe S.D., 40 mijë euro do t’ia jepnin të pandehurit Idriz Hajrizi të cilin edhe e kishin angazhuar për t’i detyruar të dëmtuarit që të paguajnë shumën e kërkuar.
Prokuroria Themelore në Pejë si bazë për caktimin e paraburgimit e ka përmendur rrezikun e arratisjes së të pandehurve nga Kosova, duke shitur pasurinë që kanë në vend dhe të shpërngulen jashtë.
Gjithashtu, Prokuroria ka përmendur edhe rrezikun e ndikimit në dëshmitarë dhe asgjësim të provave, sikurse edhe rrezikun e përfundimit/përsëritjes së veprën penale të fajdesë, thuhet ndër të tjera në dosjen e rastit të siguruar nga Dukagjini.
(VIDEO) Operacioni policor kundër fajdeve, momenti i arrestimit të katër të dyshuarve