Ish-gjenerali i NATO-s, i cili udhëheqi fushatën ajrore kundër caqeve ushtarake serbe më 1999, Wesley Clark, do të jetë sot për vizitë në Kosovë.
Clark do të pritet sot nga ora 09:00 nga kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.
“Kryetari Abdixhiku po ashtu Gjeneralit Clark i ndan Dekoratën dr. Ibrahim Rugova, për rolin historik dhe kontributin e tij për çlirimin e Kosovës”, thuhet në njoftimin e LDK-së.
“Në Selinë Qendrore, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës me bashkëpunëtorë pret në takim Gjeneral Wesley Clark. Kryetari Abdixhiku po ashtu Gjeneralit Clark i ndan Dekoratën dr. Ibrahim Rugova, për rolin historik dhe kontributin e tij për çlirimin e Kosovës”, thuhet në njoftim.
Ndryshe, 25 vjet pas ndërhyrjes së NATO-s për të ndalur spastrimin etnik në Kosovë, gjenerali Wesley Clark kishte thënë se është krenar për operacionin që ai udhëhoqi dhe se rrjedha e ngjarjeve që kulmoi me pavarësinë e Kosovës, u diktua nga brutaliteti i forcave serbe.
Clark shërbeu si Komandant Suprem i Aleatëve në Europë i NATO-s nga viti 1997 deri në vitin 2000, duke komanduar Operacionin e Forcave Aleate gjatë luftës në Kosovë.