Sfidat e sigurisë mbledhin në takim ministrat e BE-së dhe të Ballkanit Perëndimor

Bashkimi Evropian është duke e rritur bashkëpunimin me vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor në fushën e sigurisë, mbrojtjes dhe politikës së jashtme

Flamuri i Bashkimit Evropian.

Bashkimi Evropian është duke e rritur bashkëpunimin me vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor në fushën e sigurisë, mbrojtjes dhe politikës së jashtme.

BE-ja e konsideron këtë si prioritet, pasi sfidat për sigurinë e këtij rajoni janë të ngjashme me ato që përballet edhe BE-ja.

Për këtë temë, ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian dhe homologët e tyre nga vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor do të diskutojnë më 24 qershor në Luksemburg.

BE-ja përgatiti një dokument orientues për bashkëpunimin me vendet e rajonit në këtë fushë dhe ai do të diskutohet në takimin e përbashkët ministror.

“Sfidat që lidhen me politikën e jashtme dhe të sigurisë, janë gjithnjë e më komplekse në rrethanat e tashme gjeostrategjike dhe kjo e vë rendin evropian dhe global në rrezik”, thuhet në dokumentin që pa Radio Evropa e Lirë.

“Rëndësia e unitetit, vlerave të përbashkëta dhe qëllimi i përbashkët brenda familjes evropiane janë gjëra parësore, sidomos me partnerët që aspirojnë t’i bashkohen BE-së. Duke qëndruar së bashku me BE-në – gjë që po ashtu reflektohet përmes përshtatjes së partnerëve tanë me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë – është një shenjë e orientimit strategjik, të bazuar në vlerat dhe parimet e përbashkëta, sidomos për respektimin e sundimit të ligjit dhe të së drejtës ndërkombëtare”, thuhet po ashtu në këtë dokument.

Aty përmendet se si vendet e Ballkanit Perëndimor, krahas procesit të integrimit të tyre në BE, e kanë rritur edhe pjesëmarrjen në proceset evropiane, në fushën e politikës së jashtme dhe atë të sigurisë.

Kjo thuhet se është bërë përmes samiteve të rregullta BE-Ballkani Perëndimor, pjesëmarrjes së vendeve të rajonit në takime të përbashkëta ministrore, ngjarjeve të nivelit të lartë të BE-së, bashkëpunimit në shmangien e sanksioneve ndaj vendeve të treta, bashkëpunimit në organizatat ndërkombëtare, si OKB dhe OSBE, por edhe bashkëpunimit ushtarak dhe zhvillimit të forcave të rendit.

Bashkimi Evropian thuhet se është duke i ndihmuar vendet e rajonit edhe në proceset e pastrimit të minave, në luftën kundër manipulimit dhe dezinformimit që vjen nga jashtë, sidomos nga Rusia, si dhe në goditjen e grupeve të krimit të organizuar.

Për BE-në, siç thuhet në dokument, me rëndësi është edhe bashkëpunimi në luftën kundër terrorizmit, ekstremizmit të dhunshëm dhe trafikimit të armëve./Radio Evropa e Lirë

Angazhimi më i madh i BE-së në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes në rajonin e Ballkanit Perëndimor është misioni Althea në Bosnje e Hercegovinë, i cili përbëhet prej rreth 1.600 trupash, si dhe misioni në fushën e rendit dhe ligjit në Kosovë, EULEX.

“Vitin e fundit, misioni i EULEX-it në Kosovë ka dhënë kontribut jo vetëm në ruajtjen e sigurisë në Kosovë, si reaguesi i dytë, por edhe në përmirësimin e sundimit të ligjit. Dialogu i lehtësuar nga BE-ja [mes Kosovës dhe Serbisë] ka shërbyer jo vetëm si platformë për avancimin e normalizimit të raporteve, por edhe për parandalimin e tensioneve dhe menaxhimin e krizave“, thuhet në dokumentin e BE-së.

Aty përmendet edhe ambicia e BE-së për të forcuar edhe më shumë angazhimin e vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor në fushën e politikës së jashtme dhe të sigurisë, edhe para se këto vende të bëhen anëtare formale të bllokut.

“Ne duhet ta intensifikojmë angazhimin politik në të gjitha nivelet, përfshirë edhe përmes vizitave të rregullta dhe të koordinuara“, thuhet në këtë dokument.

Bashkimi Evropian si prioritet të angazhimit në rajon e sheh avancimin e procesit të pajtimit mes Kosovës dhe Serbisë, përmes dialogut që lehtëson vetë.

Prioritet është edhe vazhdimi i asistencës për rritjen e kapaciteteve të mbrojtjes, si dhe ndihmës për luftimin e manipulimit dhe dezinformimit.

Si ndihmë e veçantë përmendet edhe plani për rritje dhe reforma në vendet e Ballkanit Perëndimor që e ka miratuar tashmë BE-ja, e që ka për qëllim përshpejtimin e përgatitjes së tyre për t’u bërë anëtare të BE-së.

BE-ja pret që vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor të vazhdojnë ta japin kontributin e tyre edhe në ndihmat për Ukrainën, e cila është duke luftuar kundër pushtimit nga Rusia.

Ndonëse në dokument nuk përmenden veç e veç vendet e rajonit, të gjitha ato – me përjashtim të Serbisë – kanë përshtatje të plotë me qëndrimet e Bashkimit Evropian në fushën e politikës së jashtme dhe të sigurisë.

Serbia, ndërkaq, nuk i ka mbështetur sanksionet që Bashkimi Evropian i ka vendosur kundër Rusisë dhe Bjellorusisë.

Diskutimi të hënën në takimin e ministrave konsiderohet si kontribut në përpjekjet e përgjithshme të BE-së që të arrijë një konvergjencë sa më të madhe me vendet e rajonit në të gjitha fushat.

Prej tyre, Mali i Zi, Serbia, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Bosnje e Hercegovina ose i kanë hapur tashmë negociatat për anëtarësim në BE, ose janë vende kandidate.
Kosova vetëm se ka aplikuar për anëtarësim në këtë bllok në vitin 2022.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika