Komuna e Gjakovës, e Gjilanit dhe ajo e Vitisë, të martën e 14 qershorti do të zhvillojnë aktivitete kulturore për nder të Ditës së Çlirimit.
Nga ora 10:00 në Gjakovë do të bëhen homazhe te lapidari “Shokët e lirisë”, dhe nga ora 12:00 do të bëhet dhurim vullnetar i gjakut.
Në orën 18:00, do të ketë ekspozitë personale nga Agron Mulliqi, në Galerinë e Arteve te Pallati i Kulturës “Arsim Vokshi”.
Në orën 20:30 do të shfaqet filmi “Zgjoi”,ndërsa në orën 22:00 do të ketë performancë muzikore Ashikët & Friends në parkun Kulturor “Ali Podrimja”.
Në Gjilan nga ora 09:00 deri në orën 10:00 do të shënohet aktiviteti “Vrapimi i lirisë”, kurse në orën 11:00, do të zhvillohen garat komunale të notit.
Për nder të çlirimit të Gjilanit, në orën 15:00 do të zhvillohet programi i shkurtër i bibliotekës. Në orën 20:00, do të shfaqet monodrama “Cili je… cili je…”, i Bedri Selmanit, në teatrin e qytetit.
Ndërkaq në Viti, në orën 9:30 do të mbahet një seancë solemne, ndërsa në orën 10:00 do të bëhen homazhe te varrezat e dëshmorëve.
Ndërsa, me fillim nga ora 19:00, do të mbahet koncert festiv në sheshin e qytetit.