Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, do të takohen sot në Bruksel për një rund të ri bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve.
Bashkimi Evropian tashmë ka publikuar agjendën, ku përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme i BE-së, Josep Borrell dhe i dërguari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, fillimisht do të zhvillojnë takime ndaras me liderët dhe më pas do të ketë takim trepalësh.
“Përfaqësuesi i Lartë dhe përfaqësuesi Special i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, do të zhvillojnë takime të ndara me liderët nga ora 15:00, pasuar më pas nga një takim i përbashkët trepalësh. Takimet do të analizojnë atë që është arritur në dialog nën udhëheqjen e përfaqësuesit të Lartë dhe do të fokusohen në rrugën përpara”, thuhej në njoftimin e Zyrës së BE-së.
Po ashtu, është bërë e ditur se para dhe pas takimit do të ketë deklaratë nga përfaqësuesi i Lartë, Josep Borrell.
Kurti dhe Vuçiq janë takuar për herë të fundit më 14 shtator të vitit të kaluar.
Kurti ka këmbëngulur në nënshkrimin e Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve, ndërsa Vuçiq ka refuzuar.
Dhjetë ditë më vonë ka ndodhur sulmi në Banjskë – fshat në veri të Kosovës – ku grupe të armatosura të serbëve kanë sulmuar Policinë e Kosovës dhe kanë vrarë rreshterin policor, Afrim Bunjaku.
Në përleshjet e armatosura që kanë pasuar, janë vrarë edhe tre sulmues serbë.