Ministrja e Drejtësisë së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka reaguar ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e Ligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
Ajo ka theksuar se ky ligj, i hartuar me ndihmën e ekspertëve dhe në bashkëpunim të ngushtë me Komisionin e Venecias, është një prej çështjeve më prioritare të Qeverisë “për luftën kundër korrupsionit dhe keqpërdorimit të detyrës zyrtare”.
Ministrja Haxhiu ka akuzuar PDK-në për bllokimin e reformave të drejtësisë.
“Pavarësisht kësaj, PDK e dërgoi në Gjykatë Kushtetuese këtë projektligj për të bllokuar e sabotuar reformën tonë në drejtësi si njërin prej dy prioriteteve tona kryesore, e për ta vonuar konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme. Arsyet për këtë tashmë i kanë të qarta të gjithë”, ka shkruar ajo në Facebook.
Haxhiu ka thënë se Gjykatës i deshën 16 muaj për të vlerësuar përputhshmërinë e këtij ligji dhe se vendimi u mor me një shumicë të ngushtë prej pesë nga nëntë gjyqtarë.
Ajo ka theksuar se rrëzimi i tij përbën një pengesë të madhe për reformat e drejtësisë në vend.
“Situata për ne është shumë e qartë, vullneti i qytetarëve për drejtësi po tentohet të përmbyset nga një grusht njerëzish që ende u shërbejnë dhe i kanë borxhe nomenklaturës së vjetër, por beteja jonë për reformë dhe shtet të së drejtës nuk do të ndalet. Byroja do të bëhet. Pasuria publike e shpërdoruar e përvetësuar do të konfiskohet. Vullneti popullor do të jetësohet”, ka shkruar tutje ajo.
Kushtetuesja e shpall të pavlefshëm Ligjin për Byronë e Konfiskimit të Pasurisë së Pajustifikueshme