Policia boliviane e arreston liderin e grusht shtetit të dështuar

Gjenerali bolivian Juan Jose Zuniga arrestohet pas një tentim grusht shteti në La Paz, Bolivi, 26 qershor/ Foto Reuters

Forcat e Armatosura të Bolivisë u tërhoqën nga pallati presidencial në La Paz të mërkurën në mbrëmje dhe policia e arrestoi gjeneralin në krye të një grusht shteti të dështuar.

Të mërkurën gjatë ditës, njësi ushtarake, të udhëhequra nga gjenerali Juan Jose Zuniga, ishin mbledhur në sheshin qendror Plaza Murillo, ku ndodhen pallati presidencial dhe Kongresi.

Presidenti bolivian, Luis Arce, e dënoi tentim-puçin dhe i bëri thirrje popullit për mbështetje.

“Sot, vendi po përballet me një përpjekje për grusht shtet. Ne i bëjmë thirrje popullit bolivian të mblidhet sot. Ne kemi nevojë që populli bolivian të organizohet dhe të mobilizohet kundër grusht shtetit dhe në të mirë të demokracisë”, tha presidenti Luis Arce nga pallati presidencial.

Më vonë, ushtarët, së bashku me një varg automjetesh ushtarake, u tërhoqën nga sheshi, duke i dhënë fund rebelimit pas vetëm tri orësh.

Qindra mbështetës të Arces u mblodhën pastaj në sheshin pranë pallatit, duke valëvitur flamuj bolivianë, duke kënduar himnin kombëtar dhe duke brohoritur.

Pas tërheqjes së ushtrisë, policia e arrestoi gjeneralin Juan Jose Zuniga, pasi prokurori i përgjithshëm nisi një hetim.

Ministri qeveritar Eduardo del Castillo tha se përveç Zunigas, u arrestua edhe ish-zëvendësadmirali i marinës, Juan Arnez Salvador.

“Cili ishte synimi i këtij grupi? Synimi ishte rrëzimi i autoriteteve të zgjedhur në mënyrë demokratike”, tha Del Castillo për gazetarë pas arrestimeve.

Më vonë të mërkurën, ministri i Mbrojtjes Edmundo Novillo tha se “gjithçka është nën kontroll tani”.

I rrethuar nga shefat e rinj të ushtrisë, të emëruar nga Arce, Novillo theksoi se Bolivia e përjetoi një “grusht shtet të dështuar”.

Përpjekja për puç ndodhi në një kohë kur vendi po përballet me tensione dhe me grindje politike në mes të Arces dhe dikur aleatit të tij, ish-presidentit majtist, Evo Morales, për atë se kush duhet ta kontrollojë partinë në pushtet. Bolivia po përballet gjithashtu me një krizë të madhe ekonomike.

Mospajtimet e tyre kanë bërë që Qeveria të mos jetë në gjendje ta luftojë krizën ekonomike. Për shembull, aleatët e Morales në Kongres ia kanë pamundësuar vazhdimisht Arces të marrë borxh për ta luftuar krizën.

Arce dhe Morales kanë luftuar për të ardhmen Lëvizjes për Socializëm të Bolivisë, e njohur si MAS, para zgjedhjeve të vitit 2025./REL

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika