Kryetari i Bordit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), Xhemajl Rexha, dhe juristja e medias, Flutura Kusari, kanë shprehur shqetësimet dhe vërejtjet e shoqërisë civile rreth Projektligjit të Komisionit të Pavarur për Media (KPM). Ky projektligj është në shqyrtim të dytë dhe planifikuar të zhvillohet gjatë seancës së sotme të Kuvendit të Kosovës.
Përmes një konference të përbashkët për media, i kanë bërë thirrje Qeverisë të tërhiqet nga ky projektligji.
Kryetari i Bordit të AGK-së, Xhemajl Rexha ka deklaruar se ky Projektligj të tërhiqet dhe të mos miratohet në lexim të dytë, ndërsa kritika ka për ekzekutivin e mazhorancën.
Këto të dyja sipas tij nuk i kanë marrë parasysh vërejtjet e shoqërisë civile dhe bashkësisë ndërkombëtare.
“Qëllimi i kësaj konference është të shprehim pakënaqësitë tona për ligjin e KPM-së sepse siç e dini sot në rend dite është miratimi në lexim të dytë i projektligjit për KPM të cilën tashmë në mënyrë publike si pjesë e shoqërisë civile e kemi shprehur pakënaqësitë tona dhe vërejtjet më të cilat ky ligj është miratuar. Si AGK kemi thënë disa here se shoqëria civile nuk ka qenë e përfshirë më fazat kryesore të hartimit të këtij ligjit. Qeveria Kosovës, partia në pushtet nuk ka qenë e interesuar të flas me të gjithë akterët që janë pjese e rëndësishme të industrisë së mediave të flas me të për ligjin sa me te mirë edhe pse ka pas kohën e duhur ne dispozicion”, u shpreh Rexha.
Ndërsa, Juristja e medias, Flutura Kusari, ka thënë se “pasoja kryesore nga ky projektligj është zvogëlimi i pluralizmit medial”.
“E ftojmë Lëvizjes Vetëvendosje mos ta votojë këtë ligj, dhe draftimi i tij të bëhet përmes një grupi punues siç ka kërkuar edhe Këshilli i Evropës. Qëllimi fillestar i Qeverisë ishte t’i kontrollonte mediat online përmes KPM-së dhe kur e pa që ligjërisht nuk është e mundur e ka propozuar njëfarë regjistrimi por është aq keq i rregulluar sado të shkaktojë kaos ligjor dhe nuk do të funksionojë”, u shpreh Kusari, teksa mediat online i cilësoi si storie suksesi.
“Nëse aprovohet ky projektligj, këshilli i mediave do të dobësohet në një moment kur ka reformë të mirë të brendshme”, u shpreh ajo.