Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka marrë një vendim lidhur me kërkesën e parashtruar nga Ferat Shala dhe nëntë deputetë të tjerë, që kishte për qëllim vlerësimin e kushtetutshmërisë për Investime të Qëndrueshme.
Kushtetuesja i ka dhënë të drejtë Qeverisë për këtë ligj, duke konstatuar se nenet e konstetuara nuk janë në kundërshtim më Kushtetutën.
“Gjykata Kushtetuese vendosi që: Njëzëri të deklarojë kërkesën e pranueshme. Ky vendim i hap rrugën shqyrtimit të plotë të kërkesës nga Gjykata.
Të konstatojë njëzëri që nenet 21 (Këshilli), 35 (Përzgjedhja e veçantë e investitorit), 52 (Dispozitat kalimtare) dhe 53 (Shfuqizimi) të Ligjit nr.08/L-209 për Investime të Qëndrueshme nuk janë në kundërshtim me Kushtetutën. Në veçanti, këto nene u vlerësuan të përputhshme me paragrafin 1 të nenit 7 [Vlerat], paragrafët 1 dhe 2 të nenit 119 [Parimet e Përgjithshme], dhe paragrafin 2 të nenit 122 [Përdorimi i Pasurisë dhe Burimeve Natyrore] të Kushtetutës së Kosovës.
Njëzëri të shpallë që Ligji nr.08/L-209 për Investime të Qëndrueshme i dërgohet Presidentes së Republikës së Kosovës për shpallje, bazuar në nenin 43 (Afati) të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.