Policia e Kosovës, respektivisht, hetuesit e Sektorit për Hetime Financiare, e kanë arrestuar një instruktor të një autoshkolle në Pejë.
Ai është zënë në flagrancë duke pranuar një shumë prej 500 eurosh nga një person, i cili kishte kërkuar kryerjen e testit me shkrim për patentë shofer.
“Hetuesit e Sektorit për Hetime Financiare të DHKEK, duke përdorur masat e veçanta të hetimit, kanë arrestuar të dyshuarin: B.G., (viti i lindjes 1968, mashkull kosovar), instruktor në një autoshkollë në Pejë. I njëjti është arrestuar në flagrancë duke pranuar një shumë prej 500 eurove nga një person për t’i mundësuar atij kryerjen e testit me shkrim për patentë shofer. Të dyshuarit gjatë kontrollit i janë gjetur dhe konfiskuar mjetet monetare, të cilat kanë shërbyer për simulim të veprës penale. I dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës, ndaj tij është iniciuar rasti ‘pranim i ryshfetit në sektorin privat’ dhe më pas, me aktvendim të prokurorit të PTH-Pejë i është shqiptuar masa e ndalimit prej 48 orësh”, thuhet në njoftim.