Qeveria e Kosovës në mbledhjen e së premtes ka marrë vendim për ndalimin e përdorimit të TikTok-ut në të gjitha institucionet publike.
Gjatë prezantimit të kësaj pike të rendit të ditës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Ministria e Brendshme ka propozuar ndalimin e përdorimit të TikTok-ut në institucione, “me qëllim të eliminimit të rreziqeve kibernetike”.
Zëvendësministri i MPB-së, Bardhyl Dobra, ka thënë se me qëllim të rritjes së sigurisë kibernetike, i sugjeron që të ndalojë përdorimin e TikTok-ut dhe të gjitha shërbimet e tij në institucionet publike.
“Të gjithë zyrtarët publikë janë të obliguar ta largojnë TikTok-un nga pajisjet e tyre”, ka thënë Dobra.