Pas më shumë se një viti në duart e Kushtetueses, Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme është shpallur i pavlefshëm.
E thirrje urgjente për fillim të ndryshimeve drejtuar Ministrisë së Drejtësisë bëri kreu i ekzekutivit, kryeministri, Albin Kurti.
“Një vit e katër muaj i janë dashur Gjykatës Kushtetuese ta sjellë vendimin për Byronë ende të publikuar dhe të paqartë, uroj që nuk do t’i duhen edhe katër muaj të tjerë që ta publikojë aktgjykimin. Ndërkohë kërkoj nga Ministria e Drejtësisë që menjëherë të fillojë me ndryshimet dhe procedojë me urgjencë në qeveri. Drejtësia duhet të bëhet, drejtësi duhet të ketë, drejtësi do të ketë”, ka deklaruar Kurti.
Megjithatë, në një përgjigje për Dukagjinin, nga Ministria e Drejtësisë thonë se mbesin në pritje të vendimit të plotë të Gjykatës, të cilin as këtë herë nuk e kanë kursyer nga kritikat.
“Vonesa e këtij vendimi në kohë prej 16 muajsh, tregon për jo-profesinalizëm dhe neglizhencë të interesit të trajtimit me prioritet të reformës në sistemin e drejtësisë, respektivisht Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Ministria e Drejtësisë do ta procedojë gjatë këtij viti sërish Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, duke i trajtuar vërejtjet të cilat i adreson vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Ministria e Drejtësisë është duke pritur publikimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, pasi që deri tani është dhënë vetëm njoftimi për opinionin publik, por ende nuk është publikuar verdikti i Gjykatës Kushtetuese”, thuhet nga MD-ja.
Por nga IKD, ligjin e vlerësojnë si dështim të radhës ngase sipas tyre, ishte në kundërshtim me parimet dhe vetë Kushtetutën.
“Meqenëse janë kontestuar katër nene, ligji është rrëzuar në tërësi nga Gjykata Kushtetuese, për shkak se këto katër nene janë thelbësore për tërësinë e ligjit, pra pa këto nene ligji nuk mund të qëndrojë dhe në njëfarë mënyrë përbëjnë pjesën kryesore të ligjit për Byronë dhe për këtë arsye Gjykata Kushtetuese e ka rrëzuar në tërësi ligjin për Byronë, pra është një nga dështimet e radhës të qeverisë sa i përket edhe reformës në drejtësi”, ka deklaruar Lavdim Makshani, hulumtues në IKD.
Përpos Ligjit për Byronë, Gjykata Kushtetuese e Kosovës së fundmi ka vendosur edhe në katër raste të tjera në kërkesa të deputetëve të Kuvendit të Kosovës.