Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla ka udhëtuar për në Kroaci për të marrë pjesë në Forumin e Dubrovnikut me ftesë të homologut, Gordan Grliç-Radman.
Në njoftimin e MPJD-së thuhet se përmes kësaj platforme, Gërvalla do të paraqesë qëndrimet e Kosovës rreth sfidave të paqes dhe stabilitetit në Evropë si dhe “do të ndajë përvojën e Republikës së Kosovës me proceset e integrimeve euroatlantike dhe reformat e thella në sundimin e ligjit, ngritjen e standarteve të demokracisë dhe zhvillimin ekonomik”.
“Kjo platformë tashmë tradicionale paraqet një mundësi të mirë për diskutimin e sfidave aktuale të politikës ndërkombëtare. Gjatë këtij forumi, Ministrja Gërvalla do të paraqesë qëndrimet e Republikës së Kosovës rreth sfidave të paqes dhe stabilitetit në Evropë si dhe do të ndajë përvojën e Republikës së Kosovës me proceset e integrimeve euroatlantike dhe reformat e thella në sundimin e ligjit, ngritjen e standarteve të demokracisë dhe zhvillimin ekonomik. Ajo do të theksojë gjithashtu rëndësinë e rritjes së bashkëpunimit multilateral për tejkalimin e sfidave globale”, thuhet në njoftim.
Tutje thuhet se në margjina të Forumit të Dubrovnikut, Ministrja Gërvalla do të zhvillojë edhe takime bilaterale me ministrat e jashtëm të vendeve pjesëmarrëse, me synim forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe promovimin e interesave të Kosovës në arenën ndërkombëtare.