Biden pranon se nuk kishte paraqitje të mirë gjatë debatit me Trumpin

Donald Trump (majtas) dhe Joe Biden në një debat televiziv në Atlanta, SHBA, më 27 qershor 2024, AFP.

Presidenti amerikan, Joe Biden, tentoi të qetësonte demokratët lidhur me paraqitjen e tij gjatë debatit me ish-presidentin, Donald Trump.

Hezitimi i tij gjatë debatit dhe komentet e zbehta në veçanti në fillim të tij, nxitën shqetësime edhe në mesin e anëtarëve të partisë së tij se 81-vjeçari nuk është i gatshëm të udhëheqë vendin edhe për katër vjet të tjera.

Pas debatit u krijua një moment krizë në fushatën e Bidenit dhe në presidencën e tij, teksa anëtarët e Partisë Demokratike filluan të mendonin për të gjetur zëvendësuesin e mundshëm për të, përderisa donatorët dhe mbështetësit e tij po ashtu shprehën shqetësim lidhur me përballjen e tij karshi Trumpit.

Biden duket se pranoi kritikat gjatë një tubimi të premten në Karolinën e Veriut, duke thënë “unë nuk debatoj aq mirë siç debatoja dikur”, raporton BBC.

Por, ai shtoi se “e di këtë punë. Dhe e di se si bëhen gjërat”.

Gjatë një fjalimi 18 minutës, Biden kritikoi Trumpin për “gënjeshtrat” e tij dhe për një fushatë që synon “hakmarrjen dhe ndëshkimin”.

“Zgjedhja në këto votime është e thjesht. Donald Trump do ta shkatërrojë demokracinë tonë, unë do ta mbroj”, tha ai.

Biden, duke aluduar në kandidaturën e tij, tha se “kur të rrëzojnë, t’i ngrihesh”.

Zonja e Parë, Jill Biden, gjatë një ngjarjeje të premten mbrëma në Qytetin e Nju Jorkut, tha se burri i saj i tha pas debatit: “Nuk di çfarë ndodhi. Nuk u ndjeva mirë”.

Edhe para debatit, mosha e Bidenit ka qenë shqetësim për votuesit dhe debati i së enjtes mbrëma duket se përforcoi këto shqetësime të votuesve disa muaj para mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale.

Fushata e Bidenit po ashtu ka tentuar që të ulë shqetësimet, teksa ligjvënësit demokratë e kanë pranuar se presidenti pati paraqitje të dobët në debat, por tentuan të ndalnin diskutimet për zëvendësimin e tij si kandidat për president.

“Presidenti nuk pati një natë të mirë, por as Donald Trumpi me gënjeshtrat e tij të njëpasnjëshme dhe me vizionin e errët të tij për Amerikën”, tha guvernatori i Karolinës së Veriut, Roy Cooper për Associated Press.

“Nuk mund ta kthejmë Trumpin në Shtëpinë e Bardhë. Ai është kërcënim ekzistencial për kombin tonë”, tha ai.

Ish-presidenti amerikan, Barack Obama, mbështeti ish-nënpresidentin e tij, duke postuar në X – që më herët njihej si Twitter – se “paraqitje të këqija gjatë debateve ndodhin ”.

Duke aluduar në paraqitjen e tij të dobët në debatin e tij gjatë fushatës për rizgjedhje më 2012, Obama tha se “më besoni, e di. Por, këto zgjedhje ende janë një zgjedhje mes dikujt që ka luftuar për njerëzit e zakonshëm gjatë gjithë jetës së tij dhe dikujt që vetëm ia ndien për veten”.

Ndërkaq, lideri i demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve u përgjigj me “jo”, kur u pyet nëse Bideni duhet të tërhiqet nga gara.

Nënpresidentja amerikane, Kamala Harris, tentoi të bindte mbështetësit e Bidenit duke thënë se “kjo garë nuk do të vendoset nga një natë qershori”.

“Kjo garë do të vendoset nga ju. Na ne. Kush do të jetë në Shtëpinë e Bardhë vitin e ardhshëm do të përcaktohet nga ajo se çfarë ne së bashku do të bëjmë në 130 ditët e ardhshme”, tha ajo gjatë një tubimi në Las Vegas.

Drejtori për media i fushatës së Bidenit, Michael Tyler, tha se nuk ka pasur “asnjë” bisedë të brendshme që Biden të tërhiqet nga gara, por ai e pranoi se Bideni pati “një natë të keqe” gjatë debatit.

Sipas sondazhit të CNN dhe Ipsos, që u realizua pak pas debatit, shumica e shikuesve të debatit shprehën mendimin se Trumpi kishte paraqitje më të mirë sesa Bideni.

Sipas rregullave aktuale të Partisë Demokrate, do të ishte e vështirë, në mos e pamundur, që Biden të zëvendësohet si kandidat zyrtar i partisë pa dëshirën e tij ose pa vullnetin e zyrtarëve të partisë që të ndryshojnë rregulloret në konventën kombëtare që mbahet në gusht.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika