Forcat amerikane kanë shkatërruar shtatë dronë dhe një makinë kontrolli në zonat e Jemenit të kontrolluara nga rebelët Huthi, tha ushtria amerikane.
Sulmet u kryen për shkak se dronët dhe makina “paraqisnin kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj forcave të koalicionit të SHBA-së dhe anijeve tregtare në rajon”, tha Komanda Qendrore amerikane përmes një postimi në rrjetet sociale.
Rebelët Huthi, që mbështeten nga Irani, kanë shënjestuar anijet në Detin e Kuq dhe Gjirin e Adenit që nga nëntori i vitit 2023.
Rebelët kanë thënë se sulmet po kryhen në solidaritet me palestinezët, gjatë luftës mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – në Gazë, raporton Reuters.
Një ditë më herët, zëdhënësi i rebelëve Huthi, Yahya Saree, mori përgjegjësinë ndaj sulmeve të katër anijeve, përfshirë një “sulmi direkt” ndaj cisternës Delonix në Detin e Kuq, duke pretenduar se në operacion janë përdorur një numër i raketave balistike.
Megjithatë, Marina e Mbretërisë së Bashkuar tha se pesë raketa janë hedhur “në afërsi” të kësaj anijeje dhe nga sulmi nuk janë raportuar dëme.