Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka akuzuar qeverinë se e ka kthyer në “normë mashtrimin, duke treguar mungesë totale përkushtimi dhe efikasiteti në realizimin e premtimeve dhe prioriteteve programore në këtë gjysmë vit”.
Tahiri ka thënë se shumica parlamentare ka dështuar në të gjitha pikat legjislative duke thënë se programi legjislativ është në kaos.
“Një qeveri dhe një shumicë e cila është përbetuar në përfshirje dhe drejtësi më të madhe sociale, ka dështuar në të gjitha pikat legjislative të cilat do ta realizonin atë. Kjo nuk është rastësi, sepse në skemat sociale nuk mund të përfshihen në klientelizëm e korrupsion.
Pra edhe kësaj radhe, edhe këtë vit, kjo qeveri e ka kthyer në normë mashtrimin, duke treguar mungesë totale përkushtimi dhe efikasiteti në realizimin e premtimeve dhe prioriteteve programore në këtë gjysmë vit”, ka shkruar Tahiri në Facebook.
Tahiri ka thënë se ditën e dielë do të shihet “analiza e dështimeve të programit legjislativ 2024 dhe normës të mashtrimit”.