Pyetjet nga gazetarët, qytetarët, e organizatat jo qeveritare janë të shumta në drejtim të institucioneve publike.
E, sipas një raporti të Institutit GAP, UNDP-së, dhe ambasadave Suedeze e Zvicerane, del që Suhareka është komuna që në Agjencinë për Informim dhe Privatësi ka marrë më së shumti ankesa për mos kthim të përgjigjeve, gjithsej 24.
Kryetari i kësaj komune ka një shpjegim për këtë çështje.
“Çdo qytetarë që ka nevojë për përgjigjet tona, ne ia kthejmë, ka pas më së shumti ankesa se punohet më së shumti në komunën tonë,” thotë kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj.
Por, kah ankesat në numër më të madh është një komunë tjetër që prinë nga vlera e gjobave. Ajo e Fushë-Kosovës, ka marrë ndëshkime në vlerë prej 33.000 euro.
Drejtori i Administratës në këtë komunë, Amir Bullatovci, tregon se pse u dënuan nga Agjencia.
“Kryesisht kanë të bëjë me formën e përgjigjeje, edhe në këto raste në një formë apo tjetër nga pala kërkuese, janë marrë për përgjigjeje, por ata nuk kane qenë të kënaqura me përgjigjet,” tha Amir Bullatovci, Drejtor i Administratës, Fushë-Kosovë
I njëjti ankohet edhe për stafin e vogël në administratë, që sipas tij nuk ia lejon buxheti që të rritet.
Institucionet tjera ndaj të cilave janë parashtruar numër i madh i ankesave janë ministria e Kulturës, Ministria e Punëve të Jashtme, ajo e Mjedisit dhe Punëve të Brendshme.
Ndërkaq, gjoba përveç Komunës së Fushë-Kosovës, gjoba kanë marrë edhe Ministria e Mjedisit dhe Komuna e Shtërpcës, por ato nga 3 mijë euro.