Qeveria e Shqipërisë i ka shpallur dy ditë zie, më 2 dhe 3 korrik, në nderim të të ndjerit Ismail Kadare, shkrimtarit shqiptar që vdiq të hënën në moshën 88-vjeçare.
Kadare vdiq të hënën në Tiranë nga një “arrest kardio-respirator”, thanë mjekët shqiptarë.
Në një vendim të hënën vonë, Qeveria e kryeministrit Edi Rama tha se në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike do të ulet flamuri kombëtar në gjysmështizë për nder të Kadaresë.
Po ashtu, do të bëhen homazhe publike dhe do të mbahet një ceremoni shtetërore në mjediset e Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor në Tiranë, të mërkurën paradite.