Dëshmitari i 75-të, Bislim Zyrapi gjatë dëshmisë së tij të martën në Gjykatën Speciale Hagë, ka treguar se cilat ishin tri njësitë vartëse të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ai tha se këto njësi ishin Batalioni Vëzhgues, Policia Ushtarake dhe Kompania e Logjistikës pranë Shtabit të Përgjithshëm të UÇK -së.
“Kanë fillu Batalioni Vëzhgues, Policia Ushtarake pranë Shtabit të Përgjithshëm dhe Kompania e Logjistikës së Shtabit të Përgjithshme. Këto janë tri njësi që kanë qenë njësi vartëse të Shtabit të Përgjithshëm”, tha ai.
Më pas, dëshmitari u pyet për funksionimin e Kompanisë së Logjistikës si dhe kush ishte komandant i saj.
“Logjistika ose njësia e logjistikës pranë Shtabit të Përgjithshëm, ka qenë ta mbështesë Shtabin për të gjitha pjesët logjistike, ushqime, veshmbathje, strehime e shumë tjera për pika kyçe. Komandant i kësaj njësie ka qenë Idriz Hyseni”, tha Zyrapi.
Dëshmitari Zyrapi foli edhe për Policinë Ushtarake, duke treguar edhe funksionimin e saj.
“Policia Ushtarake pranë Shtabit ka qenë të ruajë Shtabin e Përgjithshëm, objektet e saj, t’i përcjellë lëvizjet e Shtabit të Përgjithshëm. Kryesisht është siguria e Shtabit të Përgjithshëm. Komandant i kësaj njësie ka qenë Ramiz Sertolli”, tha ai.
Ndërsa, për anëtarët e kësaj njësie, Zyrapi tha se janë përzgjedhur nga komandantët e zonave.
“Anëtarët e Policisë Ushtarake janë përzgjedhur nga njësitë e të gjitha zonave. Ushtarët më të mirë, më të fuqishëm, më trima dhe më të përgatitur…Përzgjedhja është bërë nga komandantët e zonave se ata i kanë njohur më mirë dhe ata i kanë dërguar nalt në Shtabin e Përgjithshëm”, tha ai, ndërsa shtoi se pastaj janë mbikëqyrur nga Drejtoria e Policisë ushtarake pranë Shtabit të Përgjithshëm.
Kurse, për Njësitin e Vëzhgimit, Zyrapi tha se kanë pasur detyrë që të vëzhgojnë komplet territorin e Kosovës.
“Njësia e Vëzhgimit është njësia pranë Shtabit të Përgjithshëm dhe kjo njësi është që vëzhgon territorin komplet të Kosovës si në vëzhgimin e lëvizjes së forcave serbe në tërësi e ka pas detyrë t’i vëzhgojë, të marrë informata, çfarë force kanë, armët që përdorin dhe drejtimet që kanë, qëllimet”, tha ai.
Zyrapi tha se Njësia e Vëzhgimit ka qenë e ndarë në disa vende, duke treguar edhe kush ka qenë në krye të tyre.
“Kjo njësi ka qenë e shpërndarë në disa vende, pranë Shtabit të Përgjithshëm në Divjakë, Vllanishtë dhe një në Bjeshkët e Sharrit faktikisht në fshatin Budakovë. Kompanisë të parë ka qenë Komandant Guri-Jetullah Qarri, kompanisë së dytë ka qenë Ajvaz Berisha pranë Shtabit dhe të tretë ka qenë Afrim Basha që ka qenë në fshatin Budakovë. Kjo njësi ka fillu të zhvillohet nga dhjetori dhe tutje dhe komandant i batalionit në fillim ka qenë Mahir Hasani, pastaj Jetullah Qarri dhe më tutje nuk e di se në prill e kam dorëzu detyrën dhe nuk e di kush ka qenë tutje”, tha Zyrapi.
Sipas tij, Njësia e Vëzhgimit është e njëjta si ajo e ndërhyrjes së shpejtë.
Zyrapi e pohon se Jakup Krasniqi ishte zëvendëskomandant i Shtabit të përgjithshëm të UÇK-së me 1998
Zyrapi pohoi se Jakup Kransiqi ka qenë zëvendëskomandant i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së gjatë periudhës së 1998-ës.
Fillimisht, dëshmitarit iu prezantua një dokument për të cilin tha se ishte një raport që e kishte përgatitur ai pas takimeve me komandantët e zonave.
Më pas, ai shtoi se është bërë raporti përmbledhës nga ky takim dhe i është dorëzuar zëvendëskomandantit, e që në atë kohë më së shumti ka qenë Jakup Krasniqi.
“Pas takimit me komandantët e zonave dhe marrja e raporteve nga ata, është bërë raporti përmbledhës dhe i është dorëzuar zëvendëskomandantit. Në atë kohë më së shumti ka qenë Jakup Krasniqi”, tha dëshmitari.
Më pas, atij iu prezantua një urdhër që komandantët e zonave të referojnë për punën e tyre, i cili tha se ka dalë nga komanda, duke pohuar se kishin marrë përgjigje në atë urdhër.
“Është urdhër që është dhënë se si të referojnë ose të raportojnë komandantët e zonave kur vijnë në takimet me Shtabin dhe se çfarë duhet të mbajë ai raport”, tha ai.
Më pas, Zyrapit iu prezantua edhe një dokument tjetër, për të cilin tha se ka qenë nga një takim me drejtoritë e Shtabit të Përgjithshëm e që ishte prezantim sa i takon strukturës dhe funksioneve të Shtabit të Përgjithshëm. / Betimi për Drejtësi