Kanë filluar takimet bilaterale në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel.
I dërguari i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, është takuar fillimisht me kryenegociatorin serb, Petar Petkoviq, dhe më pas do të takohet me kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi, në një takim tjetër dypalësh.
Varësisht nga rrjedha e takimeve dypalëshe dhe nga gatishmëria e palëve, Lajçaku mund t’i takojë Bslimin dhe Petkoviqin në një takim trepalësh.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, paralajmëroi se në krye të agjendës së diskutimeve do të jetë zbatimi urgjent i Marrëveshjes për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve.
Marrëveshja u arrit vitin e kaluar, por nuk u zbatua.
Ajo, mes të tjerash, i kërkon Kosovës t’i ofrojë një nivel vetëmenaxhimi komunitetit serb, ndërsa Serbisë të mos e pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.
Për zbatimin e saj, javën e kaluar në Bruksel u thirrën edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq./Radio Evropa e Lirë
Por, se cilat janë prioritetet e takimit të sotëm, ka treguar zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.
“Po, mund të konfirmoj se nesër do të ketë takim në kuadër të dialogut Beograd-Prishtinë, në nivel kryenegociatorësh, siç njoftoi Përfaqësuesi i Lartë të mërkurën e kaluar, pas takimit të nivelit të lartë ndërmjet presidentit Vucic dhe kryeministrit Kurti. Prioriteti, dhe sigurisht, agjenda është përcaktuar nga kryeurgjenca për fillimin e zbatimi të marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, shtoi Stano.
Në pyetjen nëse njohja reciproke e ajo nga pesë shteteve anëtare të BE-së është qëllimi përfundimtar që synohet nga dialogu, Stano tha se kjo nuk është në synimet e afërta.
“ Qëllimi i dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet tyre. Kjo (dialogu) ishte një detyrë që i ishte dhënë BE-së, që si lehtësues, të angazhohet për të ndihmuar të dyja palët për të arritur normalizimin e marrëdhënieve të tyre. Kështu që, nuk ka njohje aty, por sigurisht që konsekuencë logjike normalizimit do të ishte njohja. Por, kjo është diçka shumë larg në proces, dhe, pesë shtetet jo-njohëse në mesin e anëtarëve të BE-së do të marrin vendimet e tyre bazuar në atë çfarë e shohin të nevojshme dhe relevante. Por, kjo nuk është çështje që trajtohet në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, konfirmoi Peter Stano- Zëdhënësi i BE-së
Kurse, shefi i Stanos, Josep Borrell me gjithë dështimin e takimit të fundit të nivelit të lartë, tha se ka shpresë që kryenegociatorët do të punojnë në hapa konkretë për të zhbllokuar zbatimin e marrëveshjes.
“Fatkeqësisht, takimi i dialogut këtë javë nuk solli ndonjë përparim në zbatimin e marrëveshjes. Diskutimet ishin po aq të vështira sa gjithmonë dhe në fund nuk pati as një takim ballë për ballë midis Presidentit dhe Kryeministrit. Serbia ishte e gatshme të takohej, por Kosova kërkoi nga unë të përcjell një grup parakushtesh. Aktualisht, pozicionet e të dyja palëve mbeten larg njëra-tjetrës. Megjithatë, puna do të vazhdojë: Kryenegociatorët e të dyja palëve ranë dakord të vijnë në Bruksel javën e ardhshme për të punuar në hapa konkretë për të zhbllokuar zbatimin e Marrëveshjes”, deklaroi Josep Borrell- shefi për Politikë të Jashtme dhe Siguri i Bashkimit Evropian.
Në takimin e 26 qershorit, kryeministri Albin Kurti paraqiti para ndërmjetësit evropian tri kushte, përfshirë dorëzimin e Milan Radoiçiqit tek autoritetet e Kosovës, në mënyrë që ai ta takojë Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.