Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bëri sot homazhe dhe vendosi kurorë me lule te arkivoli i të ndjerit Ismail Kadare, në ceremoninë shtetërore të lamtumirës që u mbajt në Teatrin Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor në Tiranë.
Në librin e zisë, kryeministri shkroi:
“Pikëllimi është i thellë sepse admirimi është i lartë. Historia (me gjithë mitet), politika (me gjithë intrigat), gjuha (me gjithë bukurinë) me romanet dhe poezitë e Ismail Kadaresë u bënë dije dhe vetëdije për popullin tonë. Lum ne që e patëm, kaq shumë. Vepra e tij do të rrojë gjatë, jo vetëm për ne.”
Kryeministri ishte i shoqëruar nga zëvendëskryeministrja, njëherësh ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz dhe zëvendëskryeministrja, Emilija Rexhepi, bashkë me ministra dhe zëvendësministra të kabinetit qeveritar.