Në rrethana ekstreme të aspektit të sigurisë, atëherë kur siguria territoriale vihet në rrezik, shpeshherë i pari i shtetit hedh nënshkrimin për të mobilizuar edhe popullin në mbrojtje të vendit.
Qeveritë e shumë vendeve në botë kanë të miratuar një ligj sipas të cilit, burrat nga mosha 18 deri në 60 vjeç mund të thirren për të shërbyer në ushtri.
Por një veprim të tillë nuk mund ta bëjë shteti i Kosovës. Kjo ngase ky i fundit, nuk ka ende në fuqi një ligj mobilizimi.
E duke parë situatën e sigurisë, prezenca e një ligji të tillë konsiderohet e rëndësisë së lartë.
“Ish dasht me u trajtu me prioritet, po shohim se mund të kemi përsëritje të sulmeve terroriste. Ndoshta në përmasa më të mëdha se ai i vitit të kaluar pastaj se çka duhet të ndodhë për me dit se çka duhet ndërmarr. E kanë zhvillu policinë e njësit konform nevojave, por shumë më shumë do duhej të bëhej mobilizimi i popullatës qoftë në aspektin ushtarak apo civil”, ka thënë Rrahman Sylejmani, Kolonel i pensionuar.
Sylejmani vlerëson se në rast të nevojës, numri i trupave të Kosovës në gatishmëri nuk është i mjaftueshëm.
Por megjithatë, i njëjti nuk sheh një gatishmëri të institucioneve për të lëvizur në këtë drejtim.
“Duhet me urgjencë të trajtohet, t’jetë aspekt strategjik dhe të gjejnë vullnet opozitë e pozitë, ta përshpejtojnë si proces se nëse shohim me procedurë të rregullt, ka për të mbetë me vite, me vite kemi drafte të ligjeve që mbesin pa aprovu e pa diskutim, e të padrekretune në fund. Do duhej me prioritet por deri tash, nuk ka bashkëpunim në aspektin strategjik por ndoshta në këtë, po, ka thënë tutje Sylejmani.
E mungesa e këtij ligji vlerësohet të ketë lënë një zbrazëtirë në sigurinë e vendit dhe qytetarëve të saj.
“Ish desht që tash të votohej në Kuvend sepse në këtë fund do qartësohej konteksti i veprimit në rast të mbrojtjes të integritetit territorial nga qytetarët e Republikës së Kosovës sepse tani për tani, secili qytetar bën veprime të tilla në mbrotje të vendit, i shkel normativat sepse nuk ka ligj për t’i dal në ndihmë vendit e forcave policore e ushtarake”, ka thënë Drizan Shala, njohës i sigurisë.
Lidhur me çështjen, nga Ministria e Mbrojtjes thonë se janë në hapa të realizimit të një plani reagues gjithëpërfshirës.
Ministria e Mbrojtjes: Ideja kryesore është që në të njëjtën kohë përderisa Forca e Sigurisë së Kosovës do të vazhdojë të zhvillohet sipas fazave të planit gjithëpërfshirës të tranzicionit në një forcë profesionale, multietnike, të ndërveprueshme me NATO, e aftë për të kryer misionin e mbrojtjes territoriale, ne si Ministri e Mbrojtjes, do t’i përqendrojmë përpjekjet tona edhe në zhvillimin e shpejtë të një qasjeje gjithë-qeveritare të mbrojtjes gjithëpërfshirëse. Pra ky koncept përbën një plan reagimi kombëtar të gjithë shoqërisë në rast të gjendjes së jashtëzakonshme, kur ka nevojë për masa mbrojtëse emergjente. Me këtë rast roli i Ministrisë së Mbrojtjes si organ koordinues siguron që shteti të jetë në gjendje të operojë në kushtet e kërcënimit ushtarak – të ristrukturojë shpejt aktivitetet, të mobilizojë burimet e nevojshme për mbrojtjen dhe vazhdimësinë e kryerjes së funksioneve jetike të shtetit. Koncepti përbën njërin nga prioritetet e Ministrit për vitin 2024, ndërsa aktualisht jemi në fazën e hartimit të draftit të konceptit. Për shkak të ndjeshmërisë së çështjes nuk mund të ndajmë informacione të tjera me ju.
Ministria e Mbrojtjes kanë thënë se për shkak të ndjeshmërisë së çështjes nuk mund të japin më shumë informacione.