“Komisionet hetimore parlamentare nuk kanë nxjerrë kurrë gjë në dritë, përdoren vetëm si instrument politik”

Komisionet hetimore të formuara në Kuvendin e Kosovës historikisht nuk janë treguar të suksesshme për të zbardhur çështjen për çka janë formuar, por janë përdorur për agjenda politike të partive, kanë thënë analistë politikë

Komisionet hetimore të formuara në Kuvendin e Kosovës historikisht nuk janë treguar të suksesshme për të zbardhur çështjen për çka janë formuar, por janë përdorur për agjenda politike të partive, kanë thënë analistë politikë.

Analistët si Lirim Mehmetaj e Arton Demhasaj kanë vlerësuar se formimi i këtyre komisioneve bëhet për qëllime politike, ndërsa kritikojnë edhe përbërjen e anëtarëve të komisioneve hetimore.

Gazetari Lirim Mehmetaj ka thënë se këto komisione krijohen për të hedhur akuza e kundërakuza nga partitë politike. Vlerëson se puna e tyre nuk është në funksion të zgjidhjes së problemeve. Sipas tij, shumica e deputetëve nuk e kanë kuptuar rëndësinë e komisioneve parlamentare.

“Vjen me raportu zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi; deputetët nuk kanë pyetje dhe nuk ngrisin shqetësime për z. Bislimi, mirëpo bëhet ai dueli klasik pozitë-opozitë, ku këta i japin më shumë mundësi atij me u shpreh për ato që dëshiron t’i thotë. Pastaj shumë shpesh kemi parë, më shumë ndodh debat mes vetë deputetëve sesa me personin që është aty me raportu. Këto janë disa prej arsyeve pse dështojnë komisionet hetimore”, ka thënë Mehmetaj.

Ai shton se komisionet parlamentare kanë fuqi dhe mundësi të jashtëzakonshme, por që nuk shfrytëzohen. Ai ka vërejtje edhe sa i përket përbërjës së anëtarëve të komisioneve.

“Arsyet pse dështojnë komisionet parlamentare është se puna e deputetëve nuk është në nivelin e duhur. Deputetët, kur janë me komisione parlamentare, kanë të drejtë të hetimit; nëse bëhen ato për çështje specifike kanë të drejtë në kontrolle, kanë të drejtë në angazhimin  e ekspertëve brenda komisionit, të cilit iu ndihmojnë në hartimin e hetimeve të dokumenteve. Kanë të drejtë edhe qasje në çfarëdo lloj dokumenti që ata duan. Kanë të drejtë, për thirrjen para atij komisioni, të cilitdo person që ata e shohin, që është minimalisht i involvuar në një çështje të caktuar. Pra, komisionet parlamentare për nga fuqia dhe mundësia janë të jashtëzakonshme, por tash kur kombinohen shumë gjëra, mospërgatitja e deputetëve për ato komisione, të cilat qysh në krye të herës nuk janë të formuara me u marrë me substancën por më e trajtu veç sipërfaqësisht”, u shpreh Mehmetaj.

“Në momentin që ngrihet një komision, duhet me ekzistu një hetim paraprak i vetë partive, që kur thirren në marrje në pyetje, të zëmë ministri, ata mos më u njoftu me situatën qaty, por paraprakisht me e njoftë situatën që me mujt me e ekspozu rrenën edhe mashtrimin që po intervistohet aty”.

“Duhet me pasë bashkëpunim ndërpartiak shumë më të madh. Ata duhet me qenë një grup hetues në task-forcë, e cila punon bashkërisht që përmes mekanizmave që ia mundëson parlamenti me i ekspozu hajnitë apo keqmenaxhimet e caktuara. Dhe e treta: ishte dashur që komisionet parlamentare me u plotësu nga deputetë të cilët kanë profesione që shkojnë përkitazi me arsyet pse themelohen ato komisione”, ka thënë ai.

Analisti ka dhe një kritikë drejt partisë në pushtet. “Nëse është një deputet që është ish-hetues, ish-polic, normalisht që ai ishte dashur me qenë, e jo dikush tjetër në komision. Sepse ka pasur shqetësime në të kaluarën se nuk e kanë bërë pjesë të një komisioni… Deputetët e Vetëvendosjes, nuk diskutohet që ata janë aty veç sa për mëditje, mirëpo edhe të tjerët shumë shpesh e shoh që as nuk ka interes derisa janë prezentë, aq më tepër më bë punë shtesë kur nuk janë aty”.

“Për ta përmbledhur, komisionet ishte dashur të funksonojnë kur takohen profesionistë, merren seriozisht me temën, bashkëpunojnë vazhdimisht edhe kanë njohje paraprake për problemet edhe gjithashtu ata e kanë të drejtën e botës me thirr në bashkëpunim këdo që mendojnë se mundet me iu ndihmu në hetimin e çështjes”, u shpreh Mehmetaj.

Drejtori ekzekutiv i organizatës “Çohu”, Arton Demhasaj, ka thënë se këto komisione do të jenë gjithmonë të pasuksesshme, pasi pozita çdoherë e pengon opozitë për ta zhvilluar punën./EO

“Komisionet hetimore në Kuvend të Kosovës gjithmonë kanë qëllime politike, si atëherë kur propozohen nga partia në pushtet si atëherë kur propozohen nga partitë që janë në opozitë. Gjithmonë qëllimet janë politike, dhe asnjëherë nuk kanë me prodhu sukses, për shkak se nëse një komision hetimor është kërkuar nga partitë opozitare dhe është krijuar ka më qenë partia në pushtet ajo që ka me pengu mbarëvajtjen e atij komisionit dhe anasjelltas”, ka thënë ai.

Demhasaj thotë se komisionet hetimore asnjëherë nuk janë treguar të suksesshme dhe i cilëson vetëm si instrument politik.

“Suksesi i komisioneve parlamentare, nëse kthehemi 10 – 20 vjet pas, asnjëherë nuk janë treguar të suksesshme dhe asnjëherë kurrgjë në pah nuk kanë nxjerrë. Kështu që thjesht janë instrument politik që mundohen me bë politikë; opozita me kritiku qeverinë, apo e kundërta. Por suksesi i tyre nuk ka ekzistuar asnjëherë dhe nuk pritet as në këto komisionet e fundit që kanë me pasë ndonjë sukses”, ka thënë analisti.

Tutje, Demhasaj ka shtuar se pothuajse të gjitha komisionet përgjatë viteve që kanë pasur për qëllim hetimin kanë dështuar. Ai numëron disa prej tyre.

“Kemi pasur Komisionin për hetim të privatizimit; kemi pasur për hidrocentralet; kemi pasur për ambasadorin Martin Berishaj; ky për rezervat shtetërore. Asnjë prej këtyre komisioneve nuk kanë arritë me nxjerr diçka në pah, që dikush tjetër apo institucione të tjera me mbërri më i përdor ato çka dalin nga këto komisione. Thjesht janë mekanizma politikë për ta mbajtur nën kontroll njëra palë tjetrën”, ka thënë Demhasaj.

Për gjatë gjithë ekzistimit të parlamentarizmit në Kosovë, janë themeluar 13 komisione hetimore, por shumë pak prej tyre u janë vlerësuar dhe miratuar raportet. Ndërsa, pritet që të formohen edhe disa Komisione tjera hetimore parlamentare, ndër ta, ai për zhdukjen e mostrave të ish-aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, dhe Komisioni për rastin e kontratës së Ministres së Jashtme.’EO

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika