Gjykata e Apelit e ka vërtetuar vendimin e marrë nga Gjykata Themelore në Prishtinë për Izet Godeni, për vrasjen e gruas së tij, 63-vjeçare, Sadije Godeni, në vitin 2022 në Prishtinë.
“Në arsyetim të aktgjykimit Gjykata e Apelit, ka vlerësuar se pretendimet ankimore të mbrojtëses nuk qëndrojnë, e as që ka shkelje të tjera të dispozitave të procedurës penale, të cilat kishin për të kushtëzuar anulimin e aktgjykimit të ankimuar ngase, dispozitivi i aktgjykimit të gjykatës së shkallës së parë, ka theksuar se është i qartë, i kuptueshëm dhe në harmoni me vetveten, si dhe me arsyet e dhëna në aktgjykim”, shkruan në kumtesë.
Aktgjykimi i Apelit është marrë më 4 korrik 2024 nga kolegji i përbërë nga gjykatësit Xhevdet Abazi (kryetar) dhe anëtarët Hashim Çollaku dhe Kadrije Goga-Lubishtani, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Në vendimin e Apelit thuhet se kundër aktgjykimit të shkallës së parë ankesë ka ushtruar mbrojtësja e Godenit, avokatja Hashani-Jashari, për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, shkeljeve të Ligjit Penal, për shkak të vendimit lidhur me sanksionin penal dhe për shkak të shpenzimeve të procedurës penale.
Hashani-Jashari kishte propozuar që ankesa të aprovohet si e bazuar dhe aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë të anulohet, ashtu që çështja penale t’i kthehet të njëjtës gjykatë në rigjykim e vendosje ose i njëjti të ndryshohet, ashtu që të hidhet aktakuza e Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe ndaj të akuzuarit të pushohet procedura penale.
Kurse, Prokuroria e Apelit kishte propozuar që aktgjykimi i Themelores të vërtetohet.
Sipas dosjes së Prokurorisë, ngjarja kishte ndodhur më 25.11.2022 rreth orës 4 të mëngjesit në shtëpinë e të akuzuarit dhe viktimës në Prishtinë.
Dosja thotë se i akuzuari Izet Godeni në mënyrë mizore dhe dinake ka privuar nga jeta Sadije Godenin duke e goditur disa herë me sëpatë, ndërkohë që viktima ka qenë në gjumë.
Këto veprime Prokuroria i ka kualifikuar me veprën “Vrasje e Rëndë”.