Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe homologu i tij shqiptar, Taulant Balla, gjatë ditës së sotme ( e hënë) kanë nënshkruar marrëveshjen e kontrollit të përbashkët kufitar në Qafë Morinë të Gjakovës.
Sveçla ka thënë se pas nënshkrimit të këtij protokollit, që nga sot (8 korrik) do të aplikohet procedura një ndalesë – një kontroll.
Sveçla, përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, është shprehur jashtëzakonisht i lumtur për nënshkrimin e protokollit që lehtëson procedurat e kalimit kufitar në pikat kufitare si Qafë Morinë, Qafë Prush, Shishtavec-Krushevë, Borje-Glloboçicë dhe Orgjosht- Orçush.
Sipas Sveçlës, nëpërmjet këtij protokolli do të lehtësohet jeta e qytetarëve e edhe do të ketë bashkëpunim në luftimin e të gjitha llojeve të krimit.
”Me vullnetin më të mirë, lehtësojmë procedurat tona duke lehtësuar kështu edhe jetën dhe zhvillimin e qytetarëve tanë ndërsa bashkëpunojmë në luftimin me çdo kusht të të gjitha llojeve të krimit”, ka shkruar Sveçla.