Në Mitrovicën e Veriut në orët e para të mëngjesit u dogjën dy kamionë teksa zjarri dëmtoi edhe një veturë.
Sipas zëvendësdrejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshanit, zjarri ka të ngjarë që ka qenë i qëllimshëm.
Elshani për Dukagjinin ka thënë se nuk ka të dyshuar dhe se hetimet janë duke u zhvilluar.
“Sot në mëngjes pak para orës 01:00 policia e kosovës ka vërejt një zjarr në rrugën Mbreti Petri në Mitrovicë, Veri. Dyshohet se persona të dyshimtë kanë vënë në zjarr dy kamiona (zjarri i është vënë mbi motorr) që ishin të parkuar para magazinës së tyre. Një veturë po ashtu është dëmtuar si pasojë e zjarrit. Zjarrfikësit kanë dalë në vend të ngjarjes dhe e kanë shuar zjarrin. Nuk ka të lënduar dhe policia po punon në ndriçim të rastit, i cili është cilësuar si zjarrëvënie,” ka thënë Elshani.
Sipas Radio Evropa e Lirë, pronarët e kamionëve janë shqiptarë, të cilët kanë biznese me shumicë në veri të Mitrovicës, ndërsa automjeti i dëmtuar i pasagjerëve është në pronësi të një serbi, D.P.