Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka vlerësuar rolin e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, në hapjen e qendrës rajonale “Gratë, Paqja dhe Siguria” në Kosovë.
Gjatë një fjalimi në kuadër të Samitit të NATO-s, Blinken e falënderoi Osmanin për kontributin e saj të rëndësishëm në nisjen e kësaj iniciative.
“Këtë vit qendrat rajonale ‘Gratë, Paqja dhe Siguria’ janë hapur në Kolumbi dhe Kosovë. Ne jemi mirënjohës që kemi presidenten Osmani këtu me ne sot. Presidentja Osmani ishte e rëndësishme në nisjen e kësaj iniciative.
Ajo tashmë po demonstron mënyrën se si këto qendra mund të shërbejnë si qendra për ide dhe për inovacion. Në muajt në vijim do të hapim qendrën e tretë në Filipine”, ka deklaruar Sekretari amerikan.
Ndërkaq, më herët Osmani ka zhvilluar një takim me sekretarin amerikan të Shtetit, Blinken.
Ky takim u bë i ditur nga vetë Osmani përmes një postimi në Facebook, ku ajo theksoi rëndësinë e aleancës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për stabilitetin dhe prosperitetin global.
“Faleminderit sekretarit Blinken për pritjen dhe diskutimin e sotëm në Departamentin e Shtetit në Uashington D.C., në kuadër të Samitit të NATO-s. Aleanca me SHBA-të nuk është vetëm një dëshmi e vlerave dhe parimeve tona të përbashkëta demokratike, por edhe një gurthemel për stabilitetin dhe prosperitetin global,” ka shkruar Osmani në Facebook.