Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ka njoftuar se pas mbërritjes në Ukrainë, bashkë me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, kanë vizituar qytetin Borodianka.
Ai, përmes një postimi në llogarinë e tij në Twitter, ka thënë se janë dëshmitarë të shkatërrimit të shkaktuar nga lufta që po zhvillohet atje.
“Menjëherë pas mbërritjes sonë, ne vizituam një qytet të shkatërruar në fillim të pushtimit, Borodianka. Jemi dëshmitarë të kërdisë së shkaktuar nga lufta. Lutemi për paqe së bashku me kryeministrin Rama. Qëndrojmë bashkë me popullin e Ukrainës”, ka shkruar Abazoviq.
Right after our arrival, we visited #Borodianka, a city devastated at the beginning of the invasion. We are witnessing the havoc wreaked by the war. We pray for peace together with @ediramaal, standing firmly with the citizens of #Ukraine🇺🇦. pic.twitter.com/Eu0rtG74mW
— Dr Dritan Abazovic (@DritanAbazovic) June 15, 2022
Për këtë vizitë, dy kryeministrat shqiptarë kanë marrë ftesë nga vetë presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy.
Përmes një postimi në Twitter, Abazoviq njoftoi për mbërritjen në Kiev. Ai tha se këtë vizitë po e bëjnë për ta mbështetur popullin ukrainas.
“Kemi arritur me Edi Ramën në Kiev për t’i ofruar mbështetje qytetarëve sa i përket të drejtës për ta mbrojtur lirinë. Mali i Zi vazhdon ta ndihmojë Ukrainën në momentet e vështira dhe në katastrofën humanitare”, ka shkruar kryeministri i Malit të Zi.
Delegacioni nga Shqipëria dhe Mali i Zi, pas mesditës pritet që të takohen me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, ku pastaj do ta mbajnë edhe një konferencë të përbashkët për media.
Pas takimit me presidentin Zelenskyy, në orët e pasdites, Edi Rama dhe Dritan Abazoviq, do të takohen me kryeministrin ukrainas Denys Shmyhal.
Delegacioni zyrtar nga Shqipëria përbëhet nga: Edi Rama, Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, Elisa Spiropali, Ministër Shteti për Marrëdhëniet me Parlamentin, Endri Fuga, Drejtor i Agjencisë për Media dhe Informim, Volodymyr Shkurov, Ambasador i Republikës së Ukrainës në Shqipëri, Dorjan Duçka, Këshilltar i jashtëm dhe dy gazetarët Ben Blushi, Baton Haxhiu..
Kurse, pjesëmarrësit e delegacionit nga Mali i Zi janë: Dritan Abazoviç, Kryeministër i Republikës së Malit të Zi, Ana Rasovic, Shefe e kabinetit të Kryeministrit Abazoviç, Djorde Raduloviç, Këshilltar për Politikë të Jashtme, Milos Perisiç, Këshilltar për Media, Radivoje Koprivica, Këshilltare për Media Digjitale dhe Srdan Kosoviç, Gazetar.
Më tre maj të vitit 2022, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, në adresimin e tij para deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, kishte thënë se qëndrimi i Shqipërisë ndaj popullit të Ukrainës e bën atë të kujtojë Nënë Terezën.
Zelenskyy i është drejtuar Shqipërisë në vazhdën e adresimeve që ai ka bërë që nga fillimi i luftës, nëpër parlamente të vendeve evropiane dhe vendeve të tjera aleate, të cilat e kanë përkrahur vendin e tij në përballjen me pushtimin rus, të nisur më 24 shkurt.
Zelenksy ka falënderuar Qeverinë shqiptare për mbështetjen dhe ndihmën e saj drejt Ukrainës.