Ministria e Arsimit dje ka publikuar rezultatet e Testit të Arritshmërisë.
Ministria ka njoftuar se 52.1 për qind është kalueshmëria e Testit të Arritshmërisë, nga mbi 22.000 nxënës që i janë nënshtruar sivjet.
Në një njoftim në Facebook, MAShTI tha se arritshmëria në gjuhë shqipe është 56.9 për qind, ndërsa në gjuhë angleze 69.3 për qind.
Në lidhje me këto rezultate, profesori i gjuhës angleze, Qëndrim Rraci, ka thënë se kjo vjen pasi nuk ka shumë kreativitet e atraktivitet në përgatitjen e teksteve në gjuhën shqipe sikurse në atë angleze.
Në emisionin “Rreth e Rrotull” në RTV Dukagjini, Rraci ka thënë se gjuha angleze po ekspozohet në internet dhe mund të jetë e njëjtë edhe në Testin e Arritshmërisë, ndërsa gjuha shqipe, sipas tij, është më pak praktike.
“Gjuha angleze është gjuhë më praktike, më atraktive, janë edhe më të prekshme tekstet. Në gjuhën shqipe tekstet ndryshojnë. Nuk ka shumë kreativitet e atraktivitet në përgatitjen e teksteve, njëjtë si ekspozimit në internet është edhe në testin e Arritshmërisë”, ka deklaruar Rraci.
Po ashtu, edhe Bekim Morina nga Instituti Pedagogjik ka thënë se duhet bërë më shumë ndryshime sa i përket gjuhës shqipe, njësoj sikurse me gjuhën angleze.
Sipas Morinës, në gjuhën shqipe tekstet nuk lexohen mjaftueshëm, ndërsa gjuha angleze lidhet edhe me teknologjinë e rrjetet sociale dhe, siç thotë ai, kjo ndikon në rezultate.
“Janë teste të standardizuara, dallojnë prej testeve të gjuhës angleze. Që nga mëngjesi deri në mbrëmje, përballen me gjuhën angleze, gjuhë botërore, ndërsa për gjuhën shqipe duhet bërë më shumë, duhet ndryshime. Ka teste të gjata, fragmente, ka dalë që nuk lexojnë mjaftueshëm dhe ndikohen prej gjuhës angleze dhe prej rrjeteve sociale”, ka deklaruar Morina.
Edhe Sejdi Gashi nga Instituti Albanologjik thotë se shumica e studentëve tani më mësimin e gjuhës shqipe po e shohin si demode dhe jo me perspektivë.
Sipas Gashit, tani më zotërimi i gjuhës angleze është kushti kryesor si për punësim.
“Disa mësimin e shqipes e shohin si demode, jo si dicka perspektivë ndërsa anglishtja, është gjuhë dominante. E shohim këtë edhe te përgatitja e kuadrit arsimor, studentët që përgatiten në departamentin e gjuhës angleze në cilëndo nga universitetet konkurenca është e ashpër ndërsa në gjuhë e letërsi ka rënë”, ka deklaruar Gashi.