Kuvendi i Kosovës, në 29-vjetorin e Masakrës së Sbrenicës, ka miratuar deklaratën në përkujtim të viktimave të gjenocidit në Srebrenicë të Bosnjë e Hercegovinës.
Deputetët votuan për miratimin e deklaratës e cila u lexua nga nënkryetari i Kuvendit, Bahrim Shabani.
“Vlerësoj se caktimi i 11 korrikut si dita e përkujtimit dhe reflektimit të gjenocidit të 1995-s në Srebrenicë, të solidarizohemi me të mbijetuarit dhe përkujtimi për Srebrenicën të shërbejë si kujtesë e mprehtë e përgjegjësisë, për të parandaluar tragjedi në të ardhmen”, ka deklaruar Shabani.
Qeveria e Kosovës e ka shpallur 11 korrikun Ditë Përkujtimore të Gjenocidit në Srebrenicë të Bosnje e Hercegovinës, bazuar në rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara nga 23 maji.
Duke folur në një mbledhje të qeverisë së tij të mërkurën, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se ky është “një veprim fisnik dhe i duhur në emër të Kosovës”.
“Është veprim…i universales sonë njerëzore dhe i dëshirës sonë për paqe, që të mos harrohet e të mos përsëritet më gjenocidi, as në Bosnje, e as në Kosovë dhe askund tjetër në rajonin tonë dhe në botë”, tha Kurti.
Më 2021, Kuvendi i Kosovës e miratoi një rezolutë për dënimin e gjenocidit në Srebrenicë në Bosnje e Hercegovinë.
Në maj të këtij viti, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara e shpalli 11 Korrikun Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë.
Sot bëhen 29 vjet nga masakra e forcave serbe në Srebrenicë.
Në Srebrenicë dhe zonat përreth, forcat serbe të Bosnjës vranë më shumë se 8.300 boshnjakë në korrik të vitit 1995.
Masakra e Srebrenicës është cilësuar si më e rënda në Evropë prej Luftës së Dytë Botërore.